AlbanianSport.com 07/02/2019 11:35
ASNN – Mposht turqit e Pënar Karshijakës 82-78 dhe siguron vendin në fazën e “play-off”-it. Basketbolli i Kosovës ka prekur të mërkurën në mbrëmje një tjetër gur kilometrik suksesi, pasi Prishtina ka arritur të sigurojë vendin midis klubeve më të mira në Kupën e Evropës së koshit të meshkujve. Klubi i Basketbollit i Prishtinës ka shkruar të mërkurën në mbrëmje emrin në histori, pasi ka arritur të sigurojë vendin midis 16 klubeve më të mira në Kupën e Evropës së koshit të meshkujve, (FIBA Europe Cup).
Në ndeshjen e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, basketbollistët vendas kanë korrur një fitore historike, duke e mposhtur skuadrën turke të Pënar Karshijakës, me rezultatin 82-78. Skuadra mike ishte më dominuese në pjesën e parë, të cilën e fitoi 26-16, dhe, ndonëse Prishtina e fitoi të dytën, 23-16, janë turqit që shkojnë në pushim të ndeshjes duke kryesuar me shifrat 42-39. Por skuadra e kryeqytetit të Kosovës vijoi të këmbëngulë.
Dhe e fiton pjesën e 3-të, 20-18, duke e ngushtuar epërsinë e Pënar Karshijakës në një pikë të vetme, 61-62. Prishtina ka shpërthyer në pjesën e 4-t, ku ishte dominuese, duke e fituar këtë 10-minutësh të fundit me shifrat 23-18 dhe duke e rikthyer rezultatin në favor të saj, me shifrat përfundimtar 82-78. Skuadra e Prishtinës siguron kështu vendin e 3-të në Grupin I, duke e siguruar një vend midis 16 ekipeve më të mira në “FIBA Europe Cup”.