AlbanianSport.com 06/02/2019 22:10
ASNN – Luajnë me rezervat në ndeshjen e kthimit të turit të 16-shes së Kupës, që mbyllet 0-0. Ndonëse është përfshirë në betejën e mbijetesës në kategorisë Superiore, mbase edhe i përkëdhelur nga shorti, Luftëtari ka kaluar pa shumë probleme në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë përballë Egnatias.
Duke qenë se ndeshja e parë, e luajtur para dy javësh në Rrogozhinë, është mbyllur me fitoren e pastër, 3-0 të gjirokastriteve, ndeshja e kthimit e turit të 16-shes, e luajtur të mërkurën, ka qenë një formalitet dhe është mbyllur me rrjeta të paprekura.
Asnjëra prej skuadrave nuk e ka patur mendjen aty, duke menduar më tepër për sfidat e radhës që kanë përkatësisht në Kategorinë Superiore dhe atë Të Parë, çka është pohuar nga vetë trajnerët. Në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, Luftëtari do të përballet me Partizanin dhe dy takimet do të luhen më 13 dhe 27 mars 2019.