AlbanianSport.com 06/02/2019 17:35
ASNN – Flamurtari fiton 1-0, por nuk mjafton, bardheblutë, me “shpirt nëpër dhëmbë” në çerekfinale. Një kualifikim i mundimshëm, por sidoqoftë një kualifikim i vyer, që mban hapur një derë për Evropën, derë që nëpërmjet kampionatit duket e paarritshme. Kështu mund të përmblidhet ndeshja e kthimit të turit të 16-shes së Kupës së Shqipërisë për Tiranën, e cila vuajtur, por sidoqoftë ia ka dalë të sigurojë vendin midis 8 skuadrave që do të vazhdojnë më tej betejën për këtë trofe.
Përtej një pjese të parë që ka patur një pritje të bukur të portierit mik, një karton të kuq për Grent Halilin e bardhebluve në minutën e 18-të dhe një shtyllë horizontale të goditur nga Flamurtari pas një gjysmë ore lojë, fati i kësaj ndeshjeje do të vendoset në fillimin e pjesës së dytë, kur Kale do të mposhtë portierin kryeqytetas me një goditje në kufijtë e zonës, në minutën e 49-të. 40 minutat e mbetura dhe ato shtesë shohin Flamurtarin që mbahet dhe Tiranën që bën qëndresë.
Dhe vetëm portieri Abibi i shpëton bardheblutë në minutën e parafundit të kohës së rregullt. Por drama do të vazhdojë deri në minutën e 3-të shtesë, kur vendasit do të kërkojnë 11-metërsh pas një ndërhyje të gabuar ndaj Liçajt, por gjyqtari nuk është i këtij mendimi. Protestojnë vendasit, por nuk ka më kohë dhe Tirana kualifikohet falë fitores 2-0 të arritur në fushën e vet para dy javësh dhe do të përballet në çerekfinale me Laçin.