AlbanianSport.com 06/02/2019 13:55
ASNN – 24 orë pasi Teuta e nën-17-vjeçarëve fitoi Kupën e Shqipërisë përballë Flamurtarit, i vjen radha Vllaznisë së 19-vjeçarëve të fitojë Kupën e saj në këtë veprimtari, duke regjistruar një sukses të përsëritur, pasi e kishte fituar Kupën e Shqipërisë edhe një vit më parë. Shkodranët mundën në finale e së mërkurës Besën e Kavajës me rezultatin 2-1. Ndeshja u luajt në stadiumin “Elbasan Arena” në mesditë dhe ishte një duel mjaft i rivalizuar, që prodhoi emocione dhe nivel të kënaqshëm për moshën.
Sidoqoftë, epërsia dhe fitorja e Vllaznisë ishin të dukshme dhe ky sukses është plotësisht i merituar për djelmoshat shkodranë, që korrin kështu një sukses të rëndësishëm në futbollin shqiptar. E vërteta është se kavajasit shënuan të parët në këtë ndeshje, ku Shaljani realizoi në minutën e 8-të. Por epërsia do të zgjaste pak, sepse Vllaznia gjen golin e barazimit në minutën e 27-të, me 11-metërsh të shndërruar në gol nga Hoxha.
Në fakt, 11-metërshin e fitoi Qardaku të cilit iu shkaktua faull brenda zonës dhe gjyqtari tregoi pikën e bardhë në favor të shkodranëve. Brenda pjesës së parë Vllaznia i përmbysi shifrat në 2-1, pasi Hoxha bëri veprime të bukura dhe në fund nxori zbuluar Qardakun, duke ia shlyer “borxhin” dhe në minutën e 33-të shkodranët e panë veten në epërsi. Në minutat në vijim dhe në të gjithë pjesën e dytë ndeshja nuk ndryshoi më dhe mbeti në fuqi rezultati i pjesës së parë.
Kështu, Vllaznia fiton përfundimisht 2-1 dhe siguroi trofeun e Kupës së Shqipërisë. Një tjetër episode që vlen të theksohet nga kjo ndeshje ka të bëjë me daljen e Shimajt me karton të kuq, pasi konsumoi dy kartonë të verdhë. Ai doli nga fusha në minutën e 67-të, duke lënë shkodranët me 10 vetë në fushën e lojës, por kuqeblutë ia dolën ta mbanin të paprekur portën e tyre e madje siguruan një nivel loje të lartë që solli rrezikimin disa herë të portës së kavajasve që ishin me fat që nuk pësuan golin e tretë. Një sukses i merituar për shkodranët, që e fitojnë dy herë radhazi këtë trofe.