AlbanianSport.com 06/02/2019 10:15
ASNN – Drajs Merten, futbollisti belg i Napolit, ka një shans për të kaluar në kampionatin kinez të futbollit, ku besohet se i janë afruar shuma të mëdha parash. Napoli është në kushte të pafuqishme për ta ndaluar dhe drejtuesit janë duke shqyrtuar mundësinë që ta lënë të lirë belgun, për të mos krijuar incidente me të dhe me lojtarët e tjerë. Por ndërsa vëmendja kryesore shkon tek Mertens, pra për qëndrimin që do të mbajë, duket se në lojë është rikthyer Elseid Hysaj.
Mbrojtësi shkodran i Napolit nuk u lejua të lëvizë në merkaton e janarit pasi Napoli i kujtonte vazhdimisht të interesuarve që klauzola e tij e lirimit është 50 milionë euro. Me pak fjalë, Napoli nuk dëshironte ta shiste atë, sepse Ançelotit i duhej një mbrojtës cilësor edhe sikur ai qëndronte në stol. Por me daljen në skenë të mundësisë së shitjes së Mertensit, rihapet pista e largimit të Hysajt. Mediat italiane thonë se Hysaj mund ta shfrytëzojë këtë largim të Mertens për të kërkuar një destinacion të ri brenda apo jashtë Italisë.
Dhe Napoli mësohet se po shqyrton mundësinë e pranimit të 35 milionë eurove për të lënë të lirë mbrojtësin e krahut të djathtë të përfaqësueses së Shqipërisë. Në fakt, shifra e cila ulet krejt papritur me 15 milionë euro mund të negociohet, por rënia në 35 milionë Euro mund të hapë “ankandin” për klubet e interesuara që të tentojnë të marrin futbollistin shqiptar të paktën në muajin qershor, kur nis edhe merkato e verës. Me pak fjalë, Napoli po i analizon me kujdes të gjitha opsionet në lidhje me Elseid Hysajn.