AlbanianSport.com 05/02/2019 20:45
ASNN – “Dy muaj pas ndërhyrjes, ndjej ende dhimbje në shpatull, sidomos në frenim”. Pesë herë “kampioni i botës” në Moto GP do të provojë veten në Sëpang, në provat e para të Botërorit të Motorëve 2019. Mark Márkez ka treguar se do të shikojë se si është pas operacionit që bëri në shpatull në dhjetor.
Siç dihet ai u dëmtua në shpatull, për të disatën herë në garën e fundit të MotoGP 2018, kur fitoi edhe titullin e 5-të botëror. 25-vjeçari iu nënshtrua një operacioni nga Dr. Havier Mir, Dr. Viktor Marlet dhe Dr. Teresa Marlet në Spitalin Universitar “Dexeus” në Barcelonë, Spanjë.
Markezi dhe stafi i tij i ngushtë vendosën të krijojnë, një plan stërvitor për të forcuar shpatullën, për të qenë gati në testet e para që do të zhvillohen nga data 6, deri më 8 shkurt 2019. Sipas fizioterapistit të tij, Karlos H. Garsía ai fillimisht do të bëjë ushtrime me biçikletë në pistë malore.
Dy muaj pas operacionit, në 29 janar, Markez u kthye në Alkarràs, në shtëpinë e tij në Servera. “Kisha nevojë të prekja timonin e motorit dhe të shikoja si reagon bërryli nëse do të prekja tokën, – ka rrëfyen spanjolli. – Kemi bërë disa xhiro që më kanë ndihmuar të shoh se ku janë gjërat.”
“Forca e madhe në frenim, sidomos majtas, ku unë duhet të mbështes shpatullën time të majtë, ishte problematike. Këtu duhet të vazhdojmë të punojmë”, – ka përfunduar disi i shqetësuar Markezi.