AlbanianSport.com 05/02/2019 15:15
ASNN – Shuani kureshtjen, sportet më të çmendura, nga skijimet “në hava” e deri tek futbolli në 5 km. Ka plot njerëz janë të apasionuar pas sporteve ekstreme. Nuk janë shumica, por një pakicë të cilët e kanë sportin ekstrem si adrenalinë për kënaqësinë e tyre. Kuptohet, sportet masive si futbolli, basketbolli, atletika etj, janë për një gamë të gjerë shtresash sociale.
Por kur vjen puna tek sportet ekstreme dhe lojërat që as sporte nuk mund të quhen, ka pak njerëz që e provojnë, kryesisht të “çmendurit”. Por nuk janë vetëm ata, sepse e ndaluara shpesh të tërheq, të jep shtysë ta provosh, nga ana tjetër, një lojë që nuk e ke provuar asnjëherë dhe që e sheh për herë të parë mund edhe të sjellë dimension të ri për talentin.
Në këtë rubrikë, “AlbanianSport.com” do të sjellë në vëmendjen e lexuesve 10 sporte të padëgjuara më parë, sporte ekstreme, të çuditshme, të çmendura, shpesh pa rregulla. Nëse dikush mendon se hokej në akull është një spoort me rrezik të lartë, e ka shumë gabim, sepse sportet që do të rendisim më poshtë nuk kanë shkallë vështirësie, ata janë ekstremisht të rrezikshme.
Madje për shumë specialistë të edukimit fizik ata nuk përfaqësojnë sporte, por lojëra të çmendurish. Në një rend zbritës do të gjeni emërtimet, rregullat dhe vendet ku zhvillohen dhe praktikohen 10 sportet më të çmendura dhe më të çuditshmet që ekzistojnë.
3 – Hokej nënujor (në origjinal: Hockey Upside Down)
Vendi ku aplikohet: Austri, Finlandë, Gjermani dhe disa vende të tjera evropiane
Ky është një sport që zhvillohet nën ujin e ngrirë. Duket qartë se finlandezët janë udhëheqësit botërorë të sporteve të çmendura e të rrezikshme. Ky nuk është një hokej mbi akull, apo thjesht hokej. Duket qartë se ky është një hokej nënujor, i cili luhet brenda një pishine, madje më shumë rrezikshmëri se kaq.
Lojtarët me kostume të lagështa hyjnë në pellgje dhe liqene të ngrira në sipërfaqe. Brenda pellgut të ngrirë, ata kthehen me kokë poshtë dhe përdorin sipërfaqen e ngrirë si zona e lojës për të kaluar topin! Dhe për më tepër, ata nuk përdorin asnjë instrument frymëmarrjeje!
Ata vetëm luajnë dhe dalin për të marrë ajër kur ata nuk mund të mbajnë frymën e tyre më shumë. Sport jashtëzakonisht i rrezikshëm, por dhe mjaft tërheqës, sepse është shumë e vështirë të luash hokejin nënujor. Ky është një sport tamam për të çmendurit, megjithëse në shumë vende evropiane të guximshmit bëjnë dhe kampionate në këtë formë.
2 – Hurling Ose sporti më i shpejtë i barit
Vendi ku praktikohet: Irlanda
Ky është padyshim një prej sporteve më autentike në këtë listë me 10 sportet më të çmendura e më të rrezikshme. Madje ky është sporti më terrorizues i mundshëm dhe njëherësh sporti më i shpejtë që luhet në bar. Është një sport që ndërthur futbollin, hokejin, lakrosën, regbinë etj. Për të parë popullaritetin e këtij sporti mjafton të kujtojmë që finalja e ligës së hurlingut ndiqet mesatarisht nga 80-90 mijë vetë. Ndoshta ky është sporti më i famshëm në Irlandë.
Sipas studiuesve, “hërling” është një prej sporteve më të vjetër, me një histori 3000-vjeçare. Çdo ekip ka 15 lojtarë dhe ata luajnë me qëllim që të çojnë topin në rrjetë. Nëse topi është në ajër, ata mund të përdorin duart e tyre për ta kapur atë. Nëse është në tokë, sfera duhet të merret nga shkopinj. Loja është organizuar në një formë të tillë që të zhvillohet me shpejtësi shumë të madhe dhe topi mund të ketë një shpejtësi marramendëse dhe në lartësi të frikshme.
Është e habitshme, por ky sport është aq i rrezikshëm sa asnjë vend tjetër nuk ka guxuar ta praktikojë atë dhe nuk duken të gatshëm ta ndërmarrin një hap të tillë. Edhe pse rregullat e lojës së Hurlingut e lejojnë veshjen e helmetave, në Irlandë kanë turp ta veshin atë. Burrë është ai që luan pa armaturë dhe rreziku në këtë sport është mjaft evident. Kjo i jep këtij sporti një adrenalinë që s’përshkruhet.
1 “Royal Shrovetide Football” Ose loja me topin “Shrovetide”
Vendi ku praktikohet: Eshbërn, Angli
Ky nuk është tamam sport, por loja më e çmendur që është parë ndonjëherë. Nëse do ta quanim sport ky do të ishte loja më spektakolare dhe më e rrezikshme, nëse do të quhej thjesht lojë atëherë do të ishte një çmenduri e vërtetë. Ky është sport që nuk ka rregulla, por ka një rregull të vetëm: pa vrasje. Si lojë është mbi 800-vjeçare, sepse ka dokumente që është aplikuar në Angli që nga viti 1200. Ai luhet vetëm në një vend, në Eshbërn të Anglisë, dy herë në vit, në orën 14:00, një futboll krejt i veçantë me një top krejt të veçantë.
Në këtë lojë përfshihet një turmë shumë e madhe, shpesh i gjithë qyteti, që ndahen në dy ekipe. Dy herë çdo vit, në orën 14:00, një futboll futet në një turmë të përbërë nga dy ekipe, të quajtura “The Up’Ards” dhe “Down’Ards” (krahu lart, krahu poshtë). Ka një post-gol që nuk është gjë tjetër veçse një mur i madh në të dy anët e Eshbërnit, i ndarë nga një distancë prej tre milje, ose afërsisht 5 km. Nuk ka zona zyrtare të lojës, pasi i gjithë qyteti përfshihet brenda rrezes 5 km. Nuk ka asnjë limit për numrin e pjesëmarrësve dhe madje edhe turistët mund të marrin pjesë.
Loja zakonisht luhet nga ora 14 deri në orën 22:00. Topi është një sferë e projektuar posaçërisht, i cili nuk thyhet dhe lundron në ujë. Loja përfundon kur një lojtar e godet topin tre herë në mur. Por para se topi të shkojë në murin e Eshbërnit, njerëzit sfiliten për të vënë në vijë turmën dhe për të orientuar ekipin drejt qëllimit. Jo rastësisht kjo lojë zgjat gati 8 orë. Akoma më e rrezikshme bëhet kur mendohet se në të marrin pjesë një numër i madh njerëzish, një lojë që nuk ka rregulla dhe për ironi të fatit, organizohet ende në qytezën angleze Eshbërn të Derbishajërit. Përfundimisht, një lojë e rrezikshme dhe e çmendur.