AlbanianSport.com 04/02/2019 23:00
ASNN – Naser Aliji debutim ëndrrash me Dinamon e Bukureshtit, 90 minuta klas dhe pasime goli. Mbrojtësi i Kombëtares Naser Aliji bëri një debutim ëndrrash me Dinamon e Bukureshtit në kampionatin rumun, duke dhënë 90 minuta klas, me paraqitje dinjitoze, pasime goli dhe në fund fitore. Për të kjo është fitorja e parë me skuadrën e re në kampionatin elitar të Rumanisë.
Mbrojtësi i përfaqësueses së Shqipërisë ishte protagonist në suksesin 3-0 të skuadrës së Dinamos së Bukureshtit përballë Iasi Politehnika, skuadër ku aktivizohet mesfushori i përfaqësueses, Kamer Qaka. Paraqitja e mbrojtësit në këtë ndeshje u vlerësua me notën më të lartë, sepse ai ishte protagonist absolut në fitore, qoftë me lojën e mirë, por sidomos me pasimet e tij të sakta finale në rastet e golit.
Aliji e nisi ndeshjen si titullar në krahun e majtë të mbrojtjes, pikërisht nga ai nisi aksioni i golit të epërsisë, të realizuar nga Montini, në minutën e 7-të të ndeshjes, ndërsa italiani realizoi edhe golin e dytë kur regjistrohej minuta e 69-të e takimit. Në sekondat e fundit të takimit ishte pikërisht një këmbëngulje e Alijit të dalë në sulm, që solli një largim të gabuar të topit në prapavijën e Iasi Politeknihës dhe golin e tretë të shënuar nga Popa kur regjistrohej minuta e 93-të e ndeshjes.
Si Aliji, ashtu edhe Qaka luajti të gjithë ndeshjen, por e mbylli atë me një karton të verdhë. Në tërësi mund të thuhet se paraqitja e të dy futbollistëve kuqezinj ishte mjaft pozitive, sidomos e Naser Alijit, i cili e nisi aventurën e tij në kampionatin rumun në mënyrën më të mirë, duke i befasuar të gjithë. Pak muaj më parë atë Dinamo e largonte si të papërgatitur, kurse tani është titullar fiks dhe lojtar mjaft i vlefshëm.