AlbanianSport.com 04/02/2019 22:05
ASNN – “Jamaha” prezanton motorin e ri për Botërorin 2019. Në Xhakartë, dy pilotët që do të përfaqësojnë skuadrën japoneze, Valentino Rosi dhe Maverik Vinjales janë mrekulluar me motorin e ri, në ngjyrë zikaltër. Me këtë makineri, Rosi dhe Vinjalesi do të duhet të përballen me Markez e Lorenco. Ka filluar në Indonezi sfida e re në Botërorin e Motorëve për “Jamaha”-n. Është prezantuar në kryeqytetin italian, “M1”-shi i ri, me të cilin Valentino Rosi e Maverik Vinjalesi do të përballen me skuadrën e mrekullive të Mark Markez e Horhe Lorencon.
Motori i ri është zikaltër, si ngjyrat e Interit, skuadrës së zemrës të Rosit. Debutimi i motorit të ri do të bëhet në pistë të mërkurën, kur në pistën malajziane në Sëpang, do të nisin 3 ditët e testit të Moto GP. “Vijmë nga kampionat i 2018 tepër i vështirë dhe presim shumë nga sezoni i ri, – ka thënë Rosi gjatë ceremonisë së prezantimit të “Jamaha”-s së re. – Duam të përmirësohemi dhe të jemi më të fortë.” Tiumfi i tij i 9-të dhe i fundit në Botërorin e motorëve ka qenë pikërisht 10 vite më parë, në 2009-ën, me “Jamaha”. “Ka kaluar shumë kohë”, – kujtoi italiani.
“Ruaj kujtime të bukura nga ai sezon, sepse fitova Botërorin pasi kisha luftuar gjatë gjithë kohës me shokun tim të skuadrës, Horhe Lorenco, – vijoi veterani. – Që atëherë kanë ndryshuar, edhe shumë gjëra, edhe asgjë. Niveli në sportin tonë është shumë i lartë, janë të gjithë shumë më të fortë sesa 10 vite më parë. Ndërsa skuadrat të njëjta. Me “Jamaha”-n kam një ndjenjë të veçantë dhe atmosfera e një skuadre është e rëndësishme për të arritur rezultate të mira. Duhet të punojmë shumë edhe pse, tani kundërshtarët tanë kanë bërë një hap para.”
Për pilotin italian të skuadrës japoneze çelësi i suksesit mbeten gomat. “Duhet të punojmë që të arrijmë të shpëtojmë gomat. Mund të bëjmë diferencën me stilin e drejtimit të motorit në garë, por në të njëjtën kohë duhet të punojmë fort me inxhinierët. Ky është objektivi kryesor për skuadrën tonë këtë vit”, – ka përfunduar piloti italian i “Jamaha”-s, Valentino Rosi.