AlbanianSport.com 04/02/2019 19:20
ASNN – 5 ndeshjet e fundit, rënie dramatike e Skënderbeut, kthimi në normalitet i Tiranës. Trajneri Ardian Mema mund të mbajë shumë peshë mbi kurriz nisur nga emri i madh i Tiranës, skuadër të cilën ai po e drejton prej dy muajsh, por të paktën në 5 ndeshjet e fundit skuadra e tij bardheblu ka një koeficient prej 2 pikësh për ndeshje. Nuk janë shumë, sigurisht, por të paktën një koeficient i tillë nuk ia rrezikon pozitat skuadrës bardheblu dhe e ngjit atë mjaftueshëm për t’i ikur zonës së ftohtë. E kur më parë Tirana kishte marrë këtë edicion 10 pikë në 5 ndeshje?
Prandaj gjërat duhen parë pozitivisht dhe kjo mund të jetë një kthesë e madhe për bardheblutë. Natyrisht, tri skuadra kanë një ritëm të mirë dhe nuk është e rastësishme. Partizani ka siguruar 9 pikë në 5 ndeshjet e fundit, por ka një trend rritjeje, pasi pas 3 barazimesh ka korrur dy fitore dhe falë tyre ka mundur të krijojë diferencë në kryesim. Skuadra tjetër rivale për titull, Kukësi, ka ecurinë më të mirë në 5 javët e fundit, sepse ka marrë tri fitore e dy barazime të gërshetuara midis tyre, pra ka grumbulluar 11 pikë. Por Kukësi ka luhatje në javët e fundit, gjë që i sjell paparashikueshmëri.
Pas këtyre 3 skuadrave, janë 5 ekipe që kanë një ecuri mesatare që kanë deri në 6 deri në 7 pikë në 5 ndeshjet e fundit, kurse dy ekipe kanë një rënie dramatike, është Laçi, i cili ka humbur disi terren me paraqitjen e mëparshme, si dhe Skënderbeu, që nuk ka marrë asnjë pikë në 6 ndeshjet e fundit. Ecuria e Skënderbeut është me të vërtetë dramatike dhe nuk mund të kuptohet me asnjë lloj analize sportive, por dukshëm gjendja e skuadrës korçare duhet lidhur me ngërçin me problemet me UEFA-n dhe vendimin në pritje të Gjykatës Sportive të Lozanës (CAS).
Teuta është një tjetër skuadër që ka zhgënjyer, ndërsa surprizë është kthesa e Kastriotit, i cili pas 3 humbjesh radhazi befason me dy fitore pompoze, duke ndërlikua zonën e mbijetesës. Një tjetër skuadër që ka zhgënjyer është Kamza, e cila nuk po del dot nga kriza e saj dhe tani ka zbritur në vend të fundit. Por ka dhe më keq se Kamza, që është skuadra e Laçit. E cilësuar shpesh këtë sezon si “hirushe”, e më pas edhe si “macja e zezë e Superiores”, skuadra kurbinase duket qartë se po kalon një krizë besimi.
Në 5 ndeshjet e fundit ky ekip ka grumbulluar 5 pikë, pra një pikë për ndeshje dhe vetëm Skënderbeu është më keq. Duhet që kurbinasit të reflektojnë sa nuk është vonë, sepse mund ta gjejnë veten në një zonë të padëshiruar, siç është ajo e rënies nga Kategoria. Më poshtë jepen pikët e siguruara nga skuadrat e Superiores në 5 ndeshjet e fundit, duke dhënë gjithashtu fitoret, barazimet dhe humbjet. Por renditja është bërë sipas pikëve maksimale të marra në këto 5 takime të fundit, midis javës së 16-të dhe 20-të.
Ecuria e skuadrave të Superiores
në 5 ndeshjet e fundit:
Nr. Skuadra N. F. B. H. Pikë
- Kukësi 5 3 2 0 11
- Tirana 5 3 1 1 10
- Partizani 5 2 3 0 9
- Teuta 5 1 4 0 7
- Flamurtari 5 2 1 2 7
- Luftëtari 5 2 1 2 7
- Kastrioti 5 2 0 3 6
- Kamza 5 2 0 3 6
- Laçi 5 1 2 2 5
- Skënderbeu 5 0 0 5 0