AlbanianSport.com 04/02/2019 13:50
ASNN – Mesfushori fantazist shqiptar Jahmir Hyka mbërriti të hënën në Izrael, duke tërhequr vëmendjen e sportdashësve dhe mediave sportive të vendit hebraik. Ishte pikërisht klubi i Makabi Netanja që i uroi mirëseardhjen mesfushorit kuqezi, duke e quajtur edhe “shqiponjë”, nisur nga simboli në flamurin kombëtar të Shqipërisë.
“Shqiponja mbërriti! Jahmir Hyka, mesfushori shqiptar i Makabi Netanja, mbërriti shëndosh e mirë në Izrael pak kohë më parë, u prit nga tifozët dhe tani do të kryejë vizitat mjekësore e prej andej në klub. Mirëserdhe!”, – shkruhet në njoftimin e Makabi Netanja për lojtarin.
Hyka pati probleme në fillim me tifozët, pasi ata kishin zbuluar një postim në rrjetet sociale të Hykës ku dilej në krah të popullsisë palestineze në Lindjen e Mesme. Por lojtari, para se të zbarkonte në Izrael kërkoi ndjesë ndaj të gjithë atyre që ndiheshin të fyer nga postimet e tij në rrjetet sociale, duke sqaruar se mesazhet e tij nuk kishin synim të kritikonin Izraelin por dëshironte që paqja të mbizotëronte mes njerëzve.