AlbanianSport.com 04/02/2019 12:00
ASNN – Ekipi përfaqësues shqiptar i futbollit të sallës e mbylli fazën paraeliminatore për Kampionatin e ardhshëm Evropian “Lituani 2020” në vend të dytë, pasi u mund në ndeshjen e fundit në grup nga Maqedonia me rezultatin 3-2. Në fakt, kuqezinjtë e kishin siguruar që më parë kalimin në turin e dytë, pasi kishin mposhtur San Marinon 5-0 dhe Greqinë 3-0.
Duke pritur kështu të qetë fazën e dytë eliminatore që do të luhet në muajin tetor të këtij viti. Pra, gara në grup bëhej me Maqedoninë, vend organizator i ndeshjeve për këtë grup, ku kuqezinjtë u mundën 3-2 dhe mbetën në vend të dytë, kurse maqedonasit marrin vendin e parë me 3 fitore në 3 ndeshje dhe me meritë shkojnë në fazën tjetër si të parët në grup.
Në këtë ndeshje vendasit shënuan të parët me Ziberin, kurse kuqezinjtë shënuan dy gola njëri pas tjetrit, duke e përmbysur përkohësisht rezultatin me anë të Rexhepajt dhe Kacës. Por do të ishte sërish Ziberi dhe në fund edhe Ismaili që shënuan për Maqedoninë, duke u dhënë fitoren dhe kreun e grupit. Ndërkohë, turi i dytë eliminator do të zhvillohet nga data 22, deri më 27 tetor 2019.
Dhe kuqezinjtë do t’i luajnë ndeshjet e tyre në Rumani. Në grup me përfaqësuesen shqiptare të futbollit të sallës janë Rumania, Kazakistani dhe Holanda. Pra një short shumë i vështirë dhe shanset për kualifikim në “Lituani 2020” janë të pakta, nisur nga fakti se Rumania dhe Holanda kanë skuadra cilësore. Sidoqoftë, kuqezinjtë e futbollit të sallës do ta provojnë më të mirën.