AlbanianSport.com 03/02/2019 20:40
ASNN – Në basketbollin e meshkujve mori drejtim të shtunën në mbrëmje trofeu i Kupës së Shqipërisë, i cili përfundoi në duart e lojtarëve të Teutës, që rrëmbejnë kështu trofeun e parë për këtë edicion, duke e hedhur tanimë vështrimin, drejt titullit në kampionat. Dueli final i Kupës së Shqipërisë u luajt përballë Goga Basket, e cila u mund, ndërsa të dielën ka dhënë dorëheqjen edhe trajneri i saj, Nikola Milatoviç. Një gjë të tillë trajneri e ka bërë të ditur vetë malazezi në një postim në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”.
Dorëheqja e tij është pranuar dhe një gjë është pranuar edhe nga drejtuesit e Goga Basket, ndërsa pritet të mësohet se kush do ta drejtojë skuadrën në vijim. Ndeshja që u luajt në Sallën Sportive “Feti Borova” të Parkut Olimpik të Tiranës pati mjaft rivalitet dhe emocionet nuk munguan. Për Teutën ishte një tjetër sukses, pasi durrsakët kanë fituar edhe sezonin e kaluar Superkupën e Shqipërisë. Dy pjesët e para ishin të barazpeshuara, por diferencën Teuta do ta bënte në gjysmën e dytë të takimit, ku vendosi diktatin e saj.
10-minutëshi i parë ishte mjaft energjik, për të dyja skuadrat, të cilat realizuan një volum të madh pikësh falë efikasitetit në gjuajtje dhe lojës së shpejtë e spektakolare. 30-26 përfundoi ky 10-minutësh i parë për ekipin e Goga Basketit, por Teuta do ta balanconte rezultatin në 10-minutëshin e dytë, të cilin e fitoi me shifrat 24-20. Pra pjesa e parë e ndeshjes, para se skuadrat të shkonin në pushimin e madh, fiksoi shifrat 50-50, gjë që tregon për rivalitetin e egër në parket dhe ekuilibrin e plotë në lojë e rezultat. Diferenca në favor të Teutës erdhi në pjesën e 3-të, ku Teuta fitoi me shifrat 19-7.
Një rezultat që s’ka nevojë për koment, e për më tepër, edhe i pashpjegueshëm. Ishte disa sulme të shpejta të shoqëruara me saktësi në goditjet për kosh që sollën diferencën në favor të bluve, ndërkohë që Goga Basket, edhe për shkak të mungesës së përvojës, por edhe e nervozuar në mënyrë të pashpjegueshme në disa momente të lojës, nuk ia doli të mbajë ritmin që i imponoi rivali tjetër i Durrësit. 10-minutëshi i katërt dhe i fundit u fitua sërish nga Teuta 26-24, pra me një rezultat më të ngushtë, por mjaftueshëm për të mbajtur të paprekur epërsinë.
Krejt ndeshja përfundoi në favor të Teutës 95-81, ku “djemtë e detit”, në këtë rast ata të Teutës, fitojnë me meritë trofeun e Kupës së Shqipërisë.
Kupa e Shqipërisë 2019
Basketboll – Meshkuj
Finalja:
Goga Basket – Teuta 81-95
(30-26, 20-24, 7-19, 24-26)