AlbanianSport.com 02/02/2019 23:00
ASNN – Triumfon 95-81 ndaj Goga Basket, gjithçka erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport. Që Kupa e Shqipërisë në basketboll për meshkuj u rikthye në Durrës pas 54 vitesh, kjo u mësua që të premten, kur në finale dolën dy skuadrat e saj, Teuta dhe Goga Basket. Por të shtunën ka qenë Teuta që ka ngadhënjyer në derbin bregdetar në finale, duke fituar me shifrat 95-81 dhe duke bërë të vetën këtë trofe.
Në fakt, përkundër asaj që sugjeron rezultati përfundimtar, kjo ndeshje e zhvilluar në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në kryeqytet ka qenë mjaft e luftuar dhe me shumë pikë në 10-minutëshin e parë, të cilin Goga Basket e fiton 30-26. Por Teuta do të reagojë në të dytin, duke luftuar më fort dhe duke e marrë këtë fraksion loje 26-20.
Çka ka bërë që të dyja skuadrat të shkojnë në dhomat e zhveshjejeve për pushimin e madh në barazpeshë 50-50. Në 10-minutëshin e 3-të, Goga Basket praktikisht do “të fiket”, pasi do të shënojë vetëm 7 pikë përkundër 19 pikëve të rivales bregdetare. Teuta do të kryesojë kështu 69-57 në fillimin e 10-minutëshit të 4-t dhe të fundit dhe do të vijojë ta administrojë mjaft mirë këtë epërsi.
Duke përfituar njëkohësisht më së miri edhe nga lodhja dhe nervozizmi i kundërshtarit. Në përfundim, skuadra e trajnerit malazez, Miodrag Baletiç, do të fitojë me rezultatin 95-81 ndaj homologut dhe bashkëatdhetarit Nikola Milatoviç dhe Teuta konfirmon nisjen e mirë të vitit 2019 me një trofe, pas kualifikimit për në 4-shen finale të Ligës Ballkanike në basketboll për meshkuj.
Kupa e Shqipërisë 2019
Basketboll – Meshkuj
Finalja:
Goga Basket – Teuta 81-95
(30-26, 20-24, 7-19, 24-26)