AlbanianSport.com 02/02/2019 15:40
ASNN – Bekim Balaj, sulmuesi i përfaqësueses kuqezi, ishte dje titullar në ndeshjen miqësore që skuadra e tij e Akhmat Groznit luajti ndaj ekipit bullgar të Ludogorecit. Fituan bullgarët me rezultatin 4-3, por për shqiptarët Bekim Balaj, si dhe Bernard Berisha ishte një ndeshje e mirë, ku ata lanë gjurmën e tyre në këtë takim. Berisha i Kosovës shënoi dy gola, njëri nga një aksion i rrjedhshëm i skuadrës e tjetri me fat pasi topi u përplas në shpinën e tij e hyri në rrjetë.
Të dy golat e sulmuesit të përfaqësueses së Kosovës u realizuan në pjesën e dytë, një dëshmi që edhe ai mund të pretendojë një ftesë nga trajneri zvicerani, Bernard Shalondë. Ndërkohë, shkodrani Bekim Balaj bëri një paraqitje të mirë dhe drejtuesit e Akhmat groznit u shfaqën të kënaqur me të. Balaj shënoi i pari për ekipin e tij në këtë ndeshje, duke barazuar përkohësisht rezultatiun në 1-1 në pjesën e parë. Shtatlarti shqiptar konkretizoi si duhet një pasim nga shokët e skuadrës duke tundur rrjetën.
Ai e humbi këtë miqësore, por fakti që po luan, aktivizohet rregullisht dhe shënon gola edhe në këtë fazë përgatitore është shenjë e mirë që po rikthehet në qendër të vëmendjes pas një periudhe të gjatë vështirësie si pasojë e një dëmtimi afatgjatë. Me siguri që trajneri Kristian Panuçi do ta ketë në vëmendjen e tij Balajn për ndeshjet eliminatore të Euro-2020, ku takimi i parë në radhë do të jetë kundër përfaqësueses turke në Elbasan në fund të muajit mars.
Me siguri që ai do t’i bëjë ftesë Balajt për këtë duel, sepse shkodrani ka potencial, ka intuitë dhe, ajo që është më e rëndësishmja, ai ka nisur të luajë dhe të shënojë gola.