AlbanianSport.com 02/02/2019 12:55
ASNN – Trajneri i Partizanit vlerëson homologun, por synon 3 pikë të dielën. Flet edhe “ish”-i Idrizaj. Partizani ndeshet të dielën me Kamzën dhe të kuqtë kanë dy mungesa të rëndësishme si Trashi dhe Hila, por trajneri Skënder Gega beson se skuadra ka kapacitetet për t’i përballuar ato. “Janë 2 mungesa të rëndësishme ato të Trashit dhe Hilës”, – ka thënë ai.
“Për fat të keq Hila do të mungojë pak ditë, kurse për Trashin, normal ndodh pas një të kuqi, por për fat të mirë kemi njerëz që mund ta zëvendësojnë”, – ka shtuar trajneri i kryeqytetasve, i cili ka përgëzuar edhe homologun e tij, Ernest Gjoka, për punën që ka bërë tek Kamza, por ka theksuar se objektivi i të kuqve mbetet i njëjti. “Ka bërë ndryshime Kamza, nuk e quaj regres apo progres”, – ka pohuar Gega.
“Goditja e tyre më e mirë është Gjoka, punon me pasion dhe ka përvojën e duhur, – ka shtuar trajneri i të kuqve kryeqytetas. – Për mua është sfidë, çdo ndeshje e shikoj si finale. Do të shkojmë në Kamëz për të bërë më të mirën. Na duhet fitore dhe do të bëjmë çmos për të marrë 3 pikë. E kanë treguar tifozët edhe në Korçë që erdhën, në mes të acari, ndaj kemi edhe mbështetjen e tyre, nuk jemi vetëm.”
Përtej kryesimit i shkëputur dhe ndalesave të rivalëve, Gega nuk pranon të flasë për Partizanin si favorit kryesor për titull. “Unë i shikoj të gjithë si rival. Kampionati është i gjatë, kemi edhe 17 ndeshje të tjera, – këmbëngul ai. – Kemi edhe Kupën pastaj.” Në konferencën për shtyp të mbajtur të shtunën, ka dalë para mediave edhe ish-lojtari i Kamzës, Hektor Idrizaj, i cili të dielën do të përballet me ish-shokët e tij të skuadrës.
Takimi Kamza-Partizani luhet të dielën, duke nisur nga ora 14:00.