AlbanianSport.com 02/02/2019 12:00
ASNN – Maradonës i del “gjumi”, akuza FIFA-s se është si në kohën e Blaterit, kërcënon se do t’i thotë të gjitha… Legjenda e futbollit botëror, Diego Armando Maradona, ka befasuar me deklaratat e fundit. Ai ka akuzuar FIFA-n se nuk ka ndryshuar aspak që nga koha kur drejtonte Blateri, sipas tij i korruptuar. Tërthorazi, Maradona tha se edhe drejtuesit aktualë janë si Blateri me shokë, duke vënë në siklet dhe para përgjegjësisë kreun aktual të qeverisë botërore të futbollit, Xhani Infantino.
Në fakt, duket sikur Maradonës i ka dalë “gjumi”, pas disa ditëve me probleme ku u shtrua në një spital në Argjentinë dhe bëri një ndërhyrje kirurgjikale në stomak. Legjendari shtatshkurtër beson se ka korrupsion në nivele të larta dhe për këtë ka kërcënuar se do të flasë hapur dhe do t’i nxjerrë në dritë të gjitha poshtërsitë. Nuk është thjesht një kërcënim, për shkak tekash, pasi edhe më herët legjenda e futbollit argjentinas, “Dora e Zotit”, ka akuzuar FIFA-n.
E ka akuzuar si të mbërthyer nga hajdutët të cilët qarkullojnë poshtë tavolinës qindra miliona euro dhe ku bëhet pazar me fondet që duhet të shkojnë për zhvillimin e futbollit në vendet e varfra, apo e drejta televizive ku arrihet kompromis i nëndheshëm me kompanitë e ndryshme me të cilat ndajnë interesat. “Do të nis dhe të flas për gjërat që ka bërë FIFA, – theksoi Maradona për mediat në Argjentinë, – për ato gjëra që di unë. Që kur u larguan Blater dhe Grondona… nuk ka ndryshuar asgjë në FIFA.”
Këto deklarata mund të shkaktojnë tërmet dhe sado që Maradona mund të mos merret seriozisht për shkak të problemeve të tij me drogën, njohuritë që ai ka për shumë projekte ku është përdorur si imazh i futbollistit të madh e me karrierë brilante, por edhe popullariteti i tij, mund të vërë para përgjegjësisë krerët e FIFA-s.