AlbanianSport.com 01/02/2019 20:05
ASNN – Durrsakët kalojnë shpejt në epërsi, por bardheblutë barazojnë dhe pjesa e dytë nuk sjell gola të tjerë. Ka qenë një ndeshje e luftuar fort prologu i javës së 20-të të Kategorisë Superiore, pasi Tirana dhe Teuta kanë shënuar nga një gol dhe kanë ndarë nga një pikë, pasi takimi i zhvilluar të premten në mbrëmje në Stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet është mbyllur në barazim 1-1.
Kjo ishte një pikë e vyer për bardheblutë, por jo dhe aq për durrsakët, të cilët humbasin terren me kryesuesit. Në fakt, ishin miqtë nga Durrësi kaluan të parët në epërsi, që në minutën e 2-të me anë të Prognit, i cili shndërroi në gol një pasim të Frashërit nga e djathta. Megjithatë, në vijim, Tirana do të reagojë, duke e synuar portën kundërshtare për të gjetur golin e barazimit.
Në krahun tjetër, as Teuta nuk ngurroi ta hidhte shpesh vështrimin drejt portës kryeqytetase dhe të dyja skuadrat i kanë patur rastet për shënim, por pa arritur t’i shndërrojnë ato në gol. Deri në minutën e 38-të, atëherë kur bardheblutë kryeqytetas arritën të rikthejnë barazpeshën në rezultat me anë të anglezit Majkëll Ngo, i cili pas një ndërthurjeje të bukur me Halilin, mposhti nga afër portierin Hidi.
Ndonëse Teuta rrezikoi të gjente edhe një tjetë gol në minutën e dytë shtesë, pjesa e parë do të mbyllet në barazim 1-1. Pavarësisht përpjekjeve në pjesën e dytë, rezultati mbeti i pandryshuar. Ndërkohë që në sfidën e së premten debutuan edhe dy mbrojtësit Arapi dhe Goxha, ky ishte barazimi i 3-të radhazi për skuadrën e Bledi Shkëmbit që duket se po humbet terren me ekipet kryesuese.
Kurse Tirana, me pikën e marrë, ngjitet në kuotën e 21 pikëve, 4 më shumë se Luftëtari i vendit të 8-të.