AlbanianSport.com 01/02/2019 19:10
ASNN – 30 deputetë evropianë i kërkojnë Tajlandës të mos ekstradojë futbollistin në Bahrein. Çështja e Al Araibit, futbollistit të Bahreinit, i burgosur prej 69 ditësh në Tajlandë, me kërkesë ekstradimi nga vendi i tij i lindjes, ka mbërritur Parlamentin Evropian. Tridhjetë deputetë, i kanë dërguar një letër Ministrit të Jashtëm të Tajlandës, Don Pramuduinai, ku i bëjnë thirrje për lirimin e Hakim Al Araibit.
Në letrën, deputetët e parlamentit kujtojnë se i paraburgosuri ka statusin e refugjatit politik të dhënë nga Australia dhe se ekstradimi i tij mund të binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare. Përveç kësaj, ata informojnë se do të transmetojnë shqetësimin e tyre tek Komisioneri i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut. Britanikja Xhudi Uard e laburistëve tha se “ekstradimi i Hakim Al Araibit në Bahrein do të ishte i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm pasi atje mund të përballet me tortura dhe abuzime”.
Italiani Pier Antonio Panzeri, kryetar i Nënkomitetit për Të Drejtat e Njeriut, vuri në dukje se “ekstradimi i Al Araibit do të vinte në rrezik jetën e tij dhe Tajlanda duhet të mbajë përgjegjësi për këtë, duke ditur statusin e tij të refugjatit të burgosur”. Por Bahreini këmbëngul se çështja është “një problem i rendit të brendshëm” të vendit, duke refuzuar “ndërhyrje të jashtme”.
Shteti arab ika bërë presion Tajlandës për të dorëzuar Al Araibin para të premtes së ardhshme, datë që plotëson afatin ligjor për një ekstradim për të cilat gjithnjë e më shumë vende dhe institucione janë kundër, duke përfshirë edhe FIFA-n. Por presidenti i saj, Infantino, ka patur kujdes të mos dalë shumë në skenë, edhe pse atij i ka bërë kërkesë për përkrahje vetë futbollisti Al Araibi.