AlbanianSport.com 31/01/2019 23:35
ASNN – Kilian Mbape është lojtari më efikas në 5 ligat evropiane të futbollit. Dëshmi për këtë janë golat e shumtë që ka shënuar për Paris SG-në në Ligën 1 të Francës apo dhe në Ligën e Kampioneve League. Megjithatë, rëndësi marrin golat në kampionat, ku ai po lë prapa dy rivalët e tjerë brenda skuadrës, brazilianin Nejmar, që ka shënuar 12 gola deri tani, por është i dëmtuar e do të mungojë më shumë se dy muaj, si dhe Edison Kavanin, që ka shënuar 15 gola deri më tani për skuadrën franceze në këtë edicion.
Por Kilian Mbape ka statistika të frikshme, ai ka shënuar 18 gola në 15 ndeshje, duke pasur një koeficient 1.2 gola për ndeshje, praktikisht koeficienti më i mirë i realizimit në 5 kampionatët më të mirë të futbollit në Evropë. Jo vetëm në Francë, por Mbape ka shanse të shembë përfundimisht “dinastinë” e paepur të fitoreve dhe golave, Mesin e Kristiano Ronaldon që kanë një dekadë që e kanë rivalitetin midis tyre. Argjentinasi Lionel Mesi është në vend të parë aktualisht si golashënuesi më i mirë evropian.
Sepse ka shënuar 19 gola. Por Mesi i ka realizuar këto shifra në 18 ndeshje të luajtura, pra ka një koeficient pak më të lartë se një gol për ndeshje. Parë në këtë formë, rivali më i egër për Mesin në këtë edicion, për “Këpucën e Artë” evropiane nuk janë as Ronaldo, as Kualjraela e Zapata, as Mohamed Salah dhe Herri Kejn, as Levandovski e Alkaser, as Kavani e as Benzema. Por është pikërisht Kilian Mbape, që ka një ritëm shumë të lartë realizimi, statistika të frikshme që me këtë ritëm mund ta rrëzojnë Mesin në javët e ardhshme.