AlbanianSport.com 31/01/2019 21:45
ASNN – Kukësi bën goditjen e madhe të merkatos së dimrit. Presidenca ka afruar në skuadër ish-mesfushorin e Kombëtares, Valdet Rama. 31-vjeçari rrit ndjeshëm cilësinë e verilindorëve që këtë sezon luftojnë në garën për titullin “kampion”. “Klubi njofton arritjen e marrëveshjes me Valdet Ramën”, – shkruan klubi i Kukësit në një postim në profilin e vet zyrtar në rrjetin social “Facebook” . – Mesfushori ka firmosur kontratën me skuadrën tonë deri në përfundim të kampionatit, por edhe për pjesëmarrjen në Kupat e Evropës, me opsion rinovimi edhe për një vit.”
“Futbollisti i lindur në Mitrovicë vjen nga skuadra e YB Funde e Kinës dhe do t’i bashkohet menjëherë ekipit tonë”, – përfundon njoftimi i verilindorëve. Kështu, Kukësi ka bërë një super-goditje në merkato në orët e fundit të saj. Nuk është ndoshta lojtari më i mirë në treg, por fakti që ka luajtur me skuadrën përfaqësuese dhe ka shënuar 3 gola me fanellën kuqezi, duke u cilësuar edhe si fantazist i përfaqësueses, e bën këtë blerje mjaft interesante dhe një lëvizje që impresionon dhe tremb kundërshtarët. Natyrisht, Valdet Rama nuk është lojtar dosido.
Sepse ngjyrat kuqezi i japing atij dimension tjetër për kushtet e kampionatit shqiptar, prandaj, merkato e Kukësit në këtë fazë kalimtare dimërore është “qershia mbi tortë” e një merkatoje me emra cilësorë dhe të spikatur si Rroca, Shkurtaj, Xhemaili, etj. Valdet Rama, ish-mesfushori fantasist i Kombëtares, ka firmosur me Kukësin një kontratë të vlefshme deri në fund të kampionatit, me të drejtë rinovimi edhe për një vit tjetër. Valdet Rama ka një përvojë të gjatë me shumë skuadra, nga Evropa në Kinë, madje nga Kina po vjen së fundmi për t’u bërë pjesë e kampionatit shqiptar të futbollit, me shpresën se do të ndihmojë Kukësin të shkojë tek titulli “kampion”.