AlbanianSport.com 31/01/2019 20:50
ASNN – Si skuadra e 28-vjeçarit, ashtu edhe ajo e 27-vjeçaritngjiten në renditjen kontinentale. Çiklizmi shqiptar e ka kapërcyer tanimë edhe cakun ndër-kombëtar, me një numër sportistësh, qofshin të rinj apo qofshin të konfirmuar, që po spikatin mbi dy rrota edhe me skuadrat evropiane.
Të tillë janë edhe dy prej çiklistëve më në formë të momentit, Eugert Zhupa dhe Ylber Sefa, të dy kampionë të Shqipërisë në garat e rrugës, si në kronometër, ashtu edhe në rezistencë, të cilët e kanë nisur vrullshëm vitin 2019. Pas shumë vitesh në Itali, me disa skuadra, prej të cilave, më e fundit ishte “Uilier Triestina”, Zhupa i braktisi Apeninet, duke nënshkruar me skuadrën irlandeze të Evo Proracing.
Dhe veterani shqiptar i dyrrotakëve ka patur ndikim të menjëhershëm, teksa skuadra e tij është nga të paktat që ka ngjitur shkallët e renditjes të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit në rang kontinental. Skuadra irlandeze renditet tanimë e 17-ta në Evropë, me 1,288.25 pikë, ndërsa vetëm dy shkallë më poshtë, në vendin e 19-të, me 1,204 pikë, gjendet skuadra e belge e Tarteleto Isoreksit.
Në radhët e këtij ekipi militon çiklisti tjetër shqiptar, Ylber Sefa, i cili ka rinovuar edhe për vitin 2019. Renditja në 20-shen e parë të 103 ekipeve të Evropës, që është padyshim edhe kontinenti më konkurrues në sportin e çiklizmit, është një ogur i mirë edhe për vetë çiklizmin shqiptar, që përgatitet të presë Rrethin e 76-të Çiklistik, i cili, për të 3-tin sezon radhazi, është pjesë e kalendarit ndërkombëtar të UCI-t.
Po kështu, garimi i çiklistëve kuqezi në këto ekipe cilësore ndërkombëtare, është edhe i dobishëm për grumbullimin e pikëve për të çuar një kontingjent sa më të madh si në Kampionatin Evropian, por edhe atë Botëror, si dhe për të kualifikuar me normë të paktën dy çiklistë në Olimpiadën e vitit 2020 në Tokio të Japonisë.