AlbanianSport.com 29/01/2019 20:50
ASNN – Shkodrani, përkundër rrymës, zgjedh klubin vlonjat përtej eksodit që e ka përfshirë. Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj është zyrtarisht pjesë e Flamurtarit. Lëvizja që ishte paralajmëruar prej ditësh ndodhi pikërisht të martën, ku Sukaj u prezantua në mjediset e klubit në Vlorë. Është një lëvizje befasuese, pasi 32-vjeçari është ndër sulmuesit më të spikatur të viteve të fundit në kampionat.
Edhe pse karriera e tij ka pasur mjaft ulje-ngritje dhe shumë ecejake brenda e jashtë vendit, aftësitë e tij si golashënues nuk janë vënë asnjëherë në diskutim. Ndërkaq, Flamurtari është prekur nga eksodi masiv që nga fillimi i kësaj merkatoje dimri, si pasojë e paqartësisë së krijuar në marrëdhëniet mes biznesmenit administrator të klubit vlonjat, Sinan Idrizi, dhe Bashkisë së Vlorës.
Mosdhënia në kohë e pagave ndaj lojtarëve solli largimin e disa titullarëve, kryesisht lojtarëve të huaj, midis të cilëve sulmuesit Danilo Alvesh dhe Tomisllav Bushiç. Ky i fundit tri ditë më parë u bë pjesë e Teutës në Durrës. Sukaj besohet se do të mbushë boshllëkun që la pas largimi i Alvesh dhe Bushiçit, ndërkohë që mund të rezultojë vendimtar për objektivat e skuadrës vlonjate të trajnerit Ilir Daja.
Kjo lëvizje ka dhe karakter psikologjik, pasi ndal eksodin që kishte mbërthyer pas krizës financiare skuadrën kuqezi dhe i jep një shpresë për të realizuar objektivat e saj. Sa i takon Sukajt, intuita, kualiteti dhe eksperienca i japin shkodranit dimensionin e lojtarit të duhur për ekipin e Dajës dhe nuk është e rastësishme ardhja e tij në Vlorë në këtë moment të fundit të merkatos dimërore.