AlbanianSport.com 29/01/2019 11:40
ASNN – Partizani, në kërkim të një “9”-te. Një sulmues i mirëfilltë shqetëson klubin e kuq. Partizani ka fituar me Skënderbeun, duke i bërë një nisje të mirë 2019-ës. Të kuqtë e kryeqytetit ndodhen në vendin e parë në renditjen e kategorisë superiore me 40 pikë, kundrejt 35 të Kukësit ndjekës. Trajneri Skënder Gega ka krijuar një skuadër nga e cila duket se po i merr frytet.
Por në mendjen e tij duket se ka ende diçka që e shqetëson, ose më mirë diçka duhet për ta bërë më të plotësuar grupin. Partizani ka shënuar 20 gola në 19 ndeshje të luajtura deri tani, thuajse një gol për ndeshje, mesatare kjo që nuk kënaq. Gega ka luajtur deri tani me skemën 4-3-3, me treshen e sulmit të përbërë nga Asani, Mala dhe Bardhi.
Por po t’i kthehemi historisë së klubit të kuq, ndër vite skuadra e tyre ka luajtur gjithnjë me një sulmues të mirëfilltë, të ndihmuar nga krahët. Këtë eksperimentoi edhe trajneri Gega në sfidën me Skënderbeun, kur luajti, 4-2-3-1, me Bardhin sulmues të vetëm, e Asani e Mala nga krahët. E në fakt rezultoi me sukses, sepse Partizani fitoi, por vetëm me një gol.
Prej vitesh të kuqtë vuajnë mungesën e një “9”-te të mirëfilltë, të cilin nuk e gjetën as te Bardhi. Në skuadër është edhe Hebaj por duket se futbollisti nuk i ka përligjur plotësisht pritshmëritë e klubit. Ndaj mungesa e një sulmuesi vazhdon të preokupojë drejtuesit. Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundim të merkatos dimërore, klubi i kuq ende nuk ka vendosur se cfarë do të bëjë.
Asnjë nuk jep një përgjigje në klubi. Që duhet një sulmues kjo dihet, por emri i tij duket se do të mësohet në orët e fundit të së enjtes, 31 janar, kur edhe mbyllet merkato dimërore.