AlbanianSport.com 27/01/2019 19:50
ASNN – Vllaznia në volejboll për meshkuj e mbylli pjesën e parë të sezonit si “kampione dimri”, por rivaliteti me Erzenin në garën për titull është shumë i fortë dhe në pjesën e dytë të sezonit nuk përjashtohen surprizat edhe nga ekipet e tjera si Partizani, Tirana e ndonjë tjetër. Sidoqoftë, Vllaznia nuk dëshiron t’i lërë asgjë rastësisë dhe për të forcuar më tej skuadrën ka bërë lëvizje në merkato, duke afruar volejbollistë të huaj.
Kështu, në fillim shkodranët morën bjellorusin Misijuk, por nuk duken të kënaqur vetëm me një blerje, duan më shumë dhe të forcojnë më tej ekipin. Për këtë arsye kanë bërë së fundmi një tjetër lëvizje të fuqishme, duke marrë lojtarin malazez Vuk Medenica, një volejbollist që është në fakt një njohje e vjetër në kampionatin shqiptar, pasi ai është shpallur “kampion” me Studentin vite më parë.
Shtatlarti malazez, 1 m e 95 cm i lartë, është një shuter i fuqishëm dhe lojtar me përvojë, prandaj për Vllazninë shihet se është një goditje mjaft e fortë në treg. Tashmë dy përforcimet janë përfshirë me grupin dhe besohet se do ta rrisin dhe më tej forcën sulmuese të ekipit shkodran. Nga ana tjetër, Vllaznia ka avantazhin se e ka mbyllur pjesën e parë të sezonit pa asnjë humbje, pra është një skuadër favorite për titullin.
Këto lëvizje në merkato vetëm sa e kanë rritur pretendimin e ekipit shkodran në këtë edicion të kampionatit shqiptar të volejbollit të meshkujve.