AlbanianSport.com 26/01/2019 21:55
ASNN – Trajneri i Naser Alijit: Embajta se më erdhi gjynah, e donte Panuçi dhe mendova t’i jap një shans. Trajneri i Dinamos së Bukureshtit, Mirçea Redniç, ka befasuar me deklaratat e tij dhënë për mediat rumune në lidhje me mbrojtësin kuqezi, Naser Aliji. Në fillim Redniç theksoi se e kishte pranuar mbrojtësin shqiptar në skuadër sepse “i kishte ardhur gjynah”. Dhe këtë trajneri e lidhi me formën e tij jo të mirë kur erdhi në fillim në skuadër.
Por trajneri kujtoi më pas se Aliji kishte shfaqur përkushtim të pamasë në stëvitje dhe ishte përmirësuar në atë pikë sa jepte kontribut në mbrojtje dhe në sulm, duke qenë ndër lojtarët më të përkushtuar në skuadër. Por nuk është e gjitha. Ai thotë se lojtari po ia shpërblen me punë në fushë, ndërsa kujtoi se ishte një tjetër pikë e rëndësishme që e bindi atë ta mbajë Naser Alijin në radhët e Dinamos së Bukureshtit.
Dhe kjo lidhej me trajnerin Kristian Panuçi. “Në fazën përgatitore kam fituar dy futbollistë shumë të mirë që janë teknikë dhe taktikë, – theksoi trajneri i Dinamos rumune, Redniç. – Naser Aliji më ka vërtetuar deri më tani se është një mbrojtës mjaft i mirë si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm dhe nuk pendohem që e mbajta në skuadër.” Më pas trajneri i skuadrës së njohur rumune zbuloi edhe një fakt tjetër.
Sipas tij, homologu Kristian Panuçi e dëshironte këtë futbollist në Kombëtare dhe kjo e bëri të mendohej më thellë. “Në fillim mendova që ta largoja nga skuadra kur ishte në provë, por më pas mora vesh se e ka ftuar trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi në Kombëtaren e Shqipërisë dhe vendosa që ta ndihmoja sado pak, duke i dhënë besim dhe minuta”, – përfundoi trajneri i Dinamos së Bukureshtit, Mirçea Redniç.