AlbanianSport.com 26/01/2019 18:15
ASNN – Prezantohet Bushiç në Durrës, brenda 24 orësh do të luajë kundër ish-ekipit vlonjat. Në Durrës, tek Teuta, është prezantuar të shtunën një nga lojtarët e njohur të kampionatit, Tomisllav Bushiç, i cili deri dje ishte pjesë e Flamurtarit. Është e qartë se kontrata e tij me klubin durrsak bëhet për pjesën e mbetur të sezonit dhe me opsion rinovimi dhe për një sezon tjetër.
Ardhja e Bushiçit ka rritur entuziazmin në radhët e “Djemve të detit” dhe trajneri Bledi Shkëmbi do të ketë tani e tutje një forcë më shumë në repartin sulmues. Sigurisht, largimi nga Flamurtari e ka lënë skuadrën vlonjate pa sulmues, pasi përvec Bushiçit, në fillim të janarit ka ikur (sikurse ka deklaruar vetë për të mos u kthyer) sulmuesi brazilian Danilo Alvesh.
Pra Flamurtari nuk ka forcë në vijën e parë dhe për më tepër, përballë vlonjatëve do të jetë këtë herë ish-kapiteni Bushiç. Ndeshja midis Teutës dhe Flamurtarit do të luhet të dielën pasdite në Durrës. Për ekipin durrsak është një përforcim me vlerë, pavarësisht se 32-vjeçari malazez nuk është shquar edh aq për sulmues goleador në skuadrat ku ka luajtur.
Ai thjesht është pozicional, shfrytëzon mirë hapësirat në zonën kundërshtare dhe, për vetë përmasat trupore dhe fizikun robust, mban mbërthyer mbrojtjet, nisur nga përdorimi i mirë i topit si me këmbë, ashtu dhe me kokë. Vetë trajneri Bledi Shkëmbi e ka cilësuar afrim pozitiv, por mbetet të shihet nëse Bushiç do të përshtatet me sulmuesin tjetër të skuadrës, Amadu Latifin.