AlbanianSport.com 26/01/2019 11:50
ASNN – Historike për tenisten Osaka, japonezja e parë që fiton “Australia Open”. Një surprizë e madhe ndodhi të shtunë në “Grend Slem”-in e parë të këtij viti, konkretisht në Turneun e Hapur të Australisë (Australian Open 2019). Naomi Osaka ka mposhtur Petra Kvitovën me sete 7-6, 5-7 dhe 6-4 për t’u bërë tenistja e parë japoneze në historinë e këtij sporti që e fiton këtë turne.
Ishte një ndeshje e vështirë dhe për këtë flasin shifrat e seteve dhe rivaliteti për çdo gejm. Në fund Osaka tregoi maturi, forcë dhe qëndrueshmëri, duke e fituar edhe nga ana psikologjike duelin me rivalen e saj. Edhe pse nuk e nisi ndeshjen si favorite, Osaka ia doli dhe ishte një triumf për të gjithë tenisin japonez. Ajo bëhet japonezja e parë që e fiton këtë “Grend Slem” dhe njëherësh merr pozitën e numrit një në botë në tenisin e femrave.
Ndërkohë, të dielën paradite do të luhet finalja e meshkujve, ku do të përplasen dy vendet e para në botë, Novak Gjokoviçi i Serbisë dhe Rafael Nadali i Spanjës. Të dy kanë ardhur me prepotencë në këtë finale, duke i dominuar kundërshtarët dhe duke i merituar sukseset. Kjo ndeshje do të jetë e 53-ta në historinë e përballjeve mes tyre dhe pritet një luftë mjaft e fortë për trofeun.
Serbi Gjokoviç ka një epërsi të lehtë në fitore ndaj spanjollit (27-25), por kjo nuk do të thotë asgjë në prag të këtij dueli që pritet të jetë emocionues dhe spektakolar. Nga forma që ka paraqitur, spanjolli Nadal duket paksa më favorit, por gjithçka duket e hapur, sidomos kur përballë ke një lojtar si tenisti serb.