AlbanianSport.com 25/01/2019 20:05
ASNN – Kampionia e Shqipërisë në volejboll për femra, Partizani, ka bërë një tjetër goditje në këtë merkato dimri, duke afruar si përforcim një lojtare nga Kuba. Bëhet fjalë për Dajesi Maso Kasales, e cila është shutere mjaft e mirë dhe njëherësh një diagonaliste, pra karakteristika që i nevojiteshin ekipit të kuq. Lojtarja e ardhur nga Kuba është 29-vjeçare dhe e gjatë 1.85 m.
Një lojtare e kompletuar dhe që pritet të bëjë diferencën në favor të skuadrës së Partizanit në pjesën e dytë të sezonit. Volejbollistja kubaneze ka prej disa ditësh në Shqipëri, ajo ishte në provë dhe stafi ka vlerësuar se është cilësore, që i bën punë skuadrës dhe që i rrit pretendimet e Partizanit për pjesën e mbetur të sezonit. Tashmë sportistja ka arritur të nënshkruajë një kontratë me klubin e kuq.
Dhe kjo është blerja e dytë e huaj për Partizanin, pasi, siç dihet, skuadra e trajnerit Roland Tarja ka në përbërjen e saj dhe një volejbollistë cilësore turke, Nefize Bajramollunë. Me ardhjen e Kasalesit Partizani do të rrisë pretendimet e tij dhe do të jetë një nga ekipet pretendente për titull. Sa u takon skuadrave të tjera, edhe ato pritet të bëjnë lëvizje në treg, me siguri me lojtare të huaja nga rajoni.
Por duket se Partizani në këtë moment është treguar më i shkathët dhe ka vënë në vijën objektivat e tij. Sidoqoftë, do të shihet paraqitja në fushë për të bërë deduksionet e duhura sportive. Nën drejtimin e trajnerit Tarja synohet titulli, por objektiva titulli ka dhe Tirana, Mirdita apo Barleti Volej.