AlbanianSport.com 25/01/2019 16:25
ASNN – Shuhet në moshën 66-vjeçare Vasillaq Zëri, një prej virtuozëve të futbollit shqiptar. Një prej ikonave të futbollit shqiptar të viteve 1980-të, Vasillaq Zëri, ish-lojtari i shquar i disa skuadrave dhe ekipit përfaqësues, një prej lojtarëve më teknik që ka luajtur ndonjëherë në fushat e futbollit shqiptar, shquar sidomos për driblimet e tij të jashtëzakonshe.
Zëri u nda nga jeta si pasojë e një sëmundje të rëndë, në moshën 66-vjeçare. Krahas ndeshjeve me ekipin Kombëtar, mbresa kanë lënë ndeshjet e Vasillaq Zërit me Dinamon në Kupat e Evropës kundër Ajaksit, Aberdinit dhe Karl Zais Jenës. Zëri ishte lojtar brilant, autor i golave të klasit dhe magjistar në veprimet me topin. Vitet e fundit ai punoi në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Në këtë moment reflektimi për një prej figurave të nderuara të futbollit shqiptar, reagoi me një mesazh edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. “Të dashur miq të familjes tonë të madhe të futbollit, me hidhërim të thellë dëshiroj të ndaj me ju lajmin e trishtë se Vasillaq Zëri, një ish-sulmues i shkëlqyer, drejtues futbolli dhe mik i mirë, është ndarë nga jeta”, – shkruan ndër të tjera kreu i organizmit që qeveris futbollin në vend.
“Në këtë moment të vështirë për të gjithë ne, për familjen dhe miqtë e tij të shumtë, gjej rastin t’i shpreh familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre më të dashur. Kujtimet që na ka lënë, do të jenë të paharruara”, – përfundon mesazhin e tij ngushëllues Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.