AlbanianSport.com 24/01/2019 23:15
ASNN – Lasku: “Teuta nuk është rastësore në krye të Ligës Ballkanike, por falë punës dhe zemrës së grupit.” Teuta korri një fitore të rëndësishme në Ligën Ballkanike, pasi mundi Kozhuvin me rezultatin 79-70, duke siguruar një dypikësh që e mban në krye të renditjes, tashmë me 17 pikë dhe që ka siguruar edhe matematikisht 4-shen e parë, që do të thotë se do të luajë në fazën finale, “play-off”, për trofeun e kësaj veprimtarie.
Suksesi në Durrës i “djemve të detit” shënon një moment kulmor të përfaqësimit të koshit shqiptar në këtë aktivitet rajonal, ndërsa ambiciet e Teutës janë gjithashtu për të fituar titullin në Superligën e Meshkujve në kampionatin shqiptar. Në përfundim të ndeshjes së djeshme me Kozhuvin, ka folur një nga veteranët e skuadrës durrsake, kryeqytetasi Genti Lasku.
Ai vlerësoi me notë të lartë angazhimin e të gjithë grupit dhe seriozitetin me të cilin po udhëton këtë edicion Teuta në Ligën Ballkanike. “Urime djemve, të cilët e merituan plotësisht fitoren, – theksoi Lasku pas takimit me Kozhuvin, – në fillim të ndeshjes skuadra gaboi shumë në fazën mbrojtëse, duke lënë shumë lojtarë të tyre të gjuajnë e të realizojnë për tri pikë.”
“Kjo penalizoi Teutën që të mos e thellonte rezultatin e saj, – vijoi ai. – Pra, toleruam shumë dhe për pasojë vuajtëm shumë, sidomos në fillim të pjesës së katërt, ku u ndje shumë lodhja jonë. Sidoqoftë, Teuta ka lojtarë shumë të mirë, të cilët, përveçse janë mjaft mirë në aspektin taktik, japin zemrën në fushën e lojës. Teuta nuk është këtu si pasojë e rastësisë, por falë një plani pune të mirë e të detajuar.”
“Gjykimi? Ishte tërësisht brenda rregullave dhe normalitetit. Nëse kundërshtari konteston, atëherë duhet ta shohë në “YouTube” këtë duel dhe i sigurojmë se nuk do të komentojnë më për këtë ndeshje”, – theksoi më tej basketbollisti veteran i Teutës, Genti Lasku.