AlbanianSport.com 24/01/2019 19:55
ASNN – Kampionia olimpike ka lënë pas dëmtimet dhe e nis vitin 2019 me një triumf në Tel-Aviv. Majlinda Kelmendi e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme vitin 2019. Xhudistja pejane ka fituar medaljen e artë në Çmimin e Madh të Tel Avivit, një veprimtari kjo që ka nisur të enjten. Kampionia olimpike e ka mposhtur në finale me “ippon” numrin 1 të renditjes botërore dhe favoriten vendase, izraeliten Gili Kohen, duke fituar kështu medaljen e parë të këtij viti.
Falë shortit, sportistja e spikatur nga Kosova e kaloi “aforfe” turin e parë të konkurrimit në kategorinë e peshës trupore deri në 52 kilogramë, kurse turin e dytë, 28-vjeçari triumfoi ndaj rivales gjeorgjiane, Tetiana Levitska-Shukvani. Në çerekfinale, Kelmendi e mundi zviceranen Fabienë Kosher, duke siguruar kështu edhe biletën për në gjysmëfinale. Aty ku sportistja më e madhe e Kosovës e eliminoi rumunen Andrea Çitu dhe arriti kështu në finale, aty ku triumfoi ndaj xhudistes izraelite, Kohen.
Duhet theksuar se sportistja e njohur e Kosovës i fitoi të katër ndeshjet e saj me “ippon”, që është fakt teknika që vlerësohet më shumë në xhudo, e barazvlefshme me “tuçin” në mundje ose “nokautin” në boks. Pas një viti të vështirë gjatë 2018-ës për shkak të dëmtimeve, Majlinda synon që sivjet të rikthehet në majat e xhudos botërore. Krahas Kelmendit, në Grand Prix të Tel Avivit po merr pjesë edhe garuesja tjetër kosovar, Loriana Kuka, e cila do të garojë të shtunën në kategorinë e peshës trupore deri 78 kilogramë.