AlbanianSport.com 24/01/2019 19:05
ASNN – Cana i prerë: Kosova me arritje të mëdha, por Kombëtarja kuqezi “yll polar” për ata që duan komb të bashkuar. Në një intervistë që ka dhënë për “RTV Dukagjinin”, ish-kapiteni historik i Kombëtares, Lorik Cana, ka dhënë mendimet e tij për ecurinë e Kosovës në rang ndërkombëtar si dhe “rivalitetin” me Shqipërinë për talentet. Sipas Canës, shumë elementë që kanë origjinë nga trojet e Kosovës po zgjedhin së fundmi të luajnë për Kosovën, por ai nuk resht së kërkuari një “yll polar”, që sipas tij duhet të jetë Kombëtarja e Shqipërisë, një skuadër më gjithëpërfshirëse dhe që përfaqëson të gjithë kombin.
Në fillim Cana foli për standardin, një nivel ku pesha e përgjegjësisë bie tek ekipi dhe stafi aktual me në krye trajnerin Kristian Panuçi. “Detyrimi i Kombëtares është që të luajë dhe të na përfaqësojë në nivele të larta, – shprehet ndër të tjera Lorik Cana. – Ndërkohë, në anën tjetër, ka lindur përfaqësuesja e Kosovës, e cila është në hapat e parë dhe po tenton të gjejë veten brenda kësaj panorama të re me djem cilësorë që janë me origjinë nga trojet e Kosovës. Këta djem, në mënyrë të natyrshme përfaqësojnë Kosovën, por nga ana tjetër, në mënyrë automatike i heqin cilësinë Kombëtares së Shqipërisë.”
“E cila, besoj, se ka pasur një tranzicion, në aspektin se çfarë na nevojitet të shohim në planin afatgjatë, – thekson më tej ish-kapiteni kuqezi. – Ajo (Kombëtarja kuqezi) duhet të jetë “yll polar” për të treguar se si duhet ta shohim atë në të ardhmen si komb. Është një moment i veçantë, ku Kosova duhet të forcohet, por dhe ku shumë elementë të talentuar që kanë qenë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë janë, gjithashtu, me origjinë nga Kosova. Para meje kanë qenë Besnik Hasi e Arjan Beqaj, më pas edhe të tjerët, të cilët kanë qenë pjesë e pandarë e suksesit kuqezi. Kosova është në hapat e saj të parë dhe ka treguar shenja suksesi.”
“Është normale që brenda një trupi, nëse ia heq gjysmën e gjakut që i vjen, normalisht që do të dobësohet, – shtoi më tej ish-kapiteni kuqezi me origjinë nga Gjakova -. Megjithatë, besoj se do ta gjejë secili vendin e vet dhe rëndësi ka që të punohet në të mirë të futbollit dhe sportit në tërësi. Kombëtarja ka shumë pritshmëri, ashtu sikundër ka edhe përfaqësuesja e Kosovës.” Në fund Cana foli dhe për trajnerin Kristian Panuçi, duke e quajtur detyrën e tij shumë të vështirë. “Trajneri është kritikuar, – thotë Cana, – sepse detyra që ka marrë është shumë e vështirë. Kur merr një ekip që ka qenë në Evropian dhe që është bërë shumë serioz, pasi ka arritur nivel dhe standard të lartë.”
“Dhe është shumë e vështirë për ta mbajtur. Aq më tepër kur je një trajner i ri. Panuçi është një teknik me dëshirë të madhe për të arritur gjëra të mëdha por këtë sezon gjërat nuk i kanë shkuar si duhet. Megjithatë, tani ka më shumë eksperiencë dhe më shumë informacion, ndaj do të gjykohet në fund të Eliminatoreve”, – përfundon intervistën që ka dhënë për “RTV Dukagjinin”, ish-kapiteni historik i Kombëtares, Lorik Cana.