AlbanianSport.com 24/01/2019 18:15
ASNN – Kupa e Shqipërisë asnjë surprizë, në gjysmëfinale të njëjtat skuadra që pretendojnë titullin. Të mërkurën u luajtën ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra, ku nuk pati kurrfarë surprize, sepse kaluan në gjysmëfinale ekipet që janë njëherësh pretendente dhe në kampionat. Madje Vllaznia e mori fitoren në tavolinë, pasi rivalja e saj, Studenti, nuk u paraqit në ndeshje, për pasojë vajzat shkodrane do të marrin fitore në tavolinë 20-0, siç edhe e përcakton rregullorja për këto raste.
Flamurtari fitoi ndaj Elbasanit me rezultatin 92-80, duke mos i lënë asnjë shans vajzave të Elbasanit që të shpresonin kalimin në turin tjetër. Tre pjesët e para folën për ekipin vlonjat dhe vetëm 10-minutëshi i fundit ishte më i mirë për vajzat mike. Flamurtari i trajnerit Viron Toska ka ambicie në të dy frontet, prandaj po e vlerëson maksimalisht edhe Kupën e Shqipërisë. Ndërkohë, fitore bindëse korri edhe SHKBF Tirana, e trajnerit Erdal Borova, që mundi Skënderbeun 74-54. 20 pikët diferencë në këtë ndeshje tregojnë qartë superioritetin e vajzave bardheblu.
Të cilat as e vunë në diskutim kalimin në gjysmëfinale, në mënyrë plotësisht të merituar. Me përjashtim të 10-minutëshit të dytë që u fitua nga vajzat korçare 24-22, të 3 pjesët e tjera të lojës folën për vajzat bardheblu, që e dominuan “dhunshëm” ndeshjen dhe merituan gjysmëfinalen. Kujtojmë që SHKBF Tirana është një nga pretendentet kryesore për ta fituar këtë veprimtari. Fitoren më të thellë në basketbollin e femrave, në këtë fazë të Kupës së Shqipërisë, e korri SHBF Tirana, e trajneres Mirza Alibegaj, e cila mundi Apoloninë me shifrat 110-63.
Janë 47 pikë diferencë që nuk kanë nevojë për koment. Njësoj si SHKBF Tirana dhe Flamurtari, edhe SHBF Tirana është një pretendente për trofeun e Kupës, kështu që gjysmëfinalet do të jenë mjaft interesante. Paraqitja e skuadrave në këtë veprimtari do të thotë shumë dhe për vazhdimësinë në kampionat, pasi ekipet kanë prej disa javësh që bëjnë fazë përgatitore dhe janë me pretendime të mëdha.
Kupa e Shqipërisë
Basketboll – Femra
Çerekfinalet:
Flamurtari – Elbasani 92-80
(28-22, 20-13, 20-14, 24-31)
SHBF Tirana – Apolonia 110-63
(34-9, 31-17, 24-14, 21-23)
SHKBF Tirana – Skënderbeu 74-54
(18-12, 22-24, 13-8, 21-10)
Vllaznia – Studenti 20-0
(fitore në tavolinë)
Shënim: Shorti për gjysmëfinalet hidhet më 28 janar në zyrat e FSHB-së.