AlbanianSport.com 24/01/2019 13:15
ASNN – Prishtina nuk ia doli të marrë një fitore të mërkurën në mbrëmje në Pallatin e Sportit dhe të Rinisë në Prishtinë përballë skuadrës gjermane të Oliver Vyrzburgut, duke u mundur me rezultatin 78-91, në ndeshjen e zhvilluar në kuadër të fazës së dytë të grupeve të Kupës së Evropës në basketboll për meshkuj (FIBA Europe Cup). Ishte një humbje me diferenca të mëdha, e cila mund të kishte qenë katastrofë për ekipin e kryeqytetit të Kosovës, nëse nuk do të përmirësonte disi në lojën e tij në pjesën e fundit për të ngushtuar diferencën e madhe që kishin krijuar gjermanët në fillim të ndeshjes.
Vendasit e nisën shumë keq ndeshjen, duke humbur 10-minutëshin e parë me shifrat 17-29, një diferencë që tregoi qartë që në fillim se gjermanët ishin superiorë si në organizimin e lojës, modulin taktik dhe saktësinë e goditjeve. Akoma më e rëndë për lojtarët e Prishtinës ishte 10-minutëshi i dytë që u fitua nga gjermanët e Vyrzburgut 27-13. Në mbyllje të gjysmës së parë të ndeshjes, Prishtina po humbiste me shifrat 30-56. Një diferencë e tillë nuk ka nevojë për koment, sepse është aq e thellë sa i dha qetësinë ekipit gjerman. Kjo qetësi e tyre u pa dhe në aktivizimin e lojtarëve të rinj në dy pjesët e tjera të ndeshjes.
Këtë e shfrytëzoi Prishtina, e cila fitoi 10-minutëshin e tretë me shifrat 27-18 dhe pjesën e 4-t e të fundit me shifrat 21-17. Por këto diferenca nuk mjaftuan që klubi i basketbollit të Kosovës ta kthente ndeshjen në favor të tij. Krejt ndeshja përfundoi me rezultatin 78-91 në favor të Oliver Vyrzburgut, i cili me këtë fitore mban me meritë kreun e renditjes me 8 pikë të plota në katër ndeshje të luajtura. Kurse skuadra e Prishtinës mbetet në vend të tretë, me 5 pikë, kur mbeten dhe dy ndeshje për t’u luajtur, ajo ndaj Zolnoki Olajit të Hungarisë si dhe Pënar Karshijakës së Turqisë. Shpresat e Prishtinës janë që të fitojë të dy duelet e radhës e të kapë vendin e dytë, por do ta ketë shumë të vështirë.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të grupit I në “FIBA Europe Cup”, skuadra turke e Karshijakës fitoi ndaj hungarezëve të Zolnoki Olajit me rezultatin 102-95, në një duel dramatik. Turqit mbajnë vendin e dytë, kurse hungarezët mbeten edhe pas kësaj ndeshjeje në vend të fundit në grup.