AlbanianSport.com 23/01/2019 14:15
ASNN – Ivan Balliu eliminon Monakon e Henrisë nga Kupa e Francës, Fiorin Durmishaj eliminon Janinën e Andi Lilës në Greqi. Një ngjarje e bujshme ndodhi të martën në Kupën e Francës, ku Metzi i Ligës së dytë eliminoi njërën prej skuadrave më të njohura, Monakon, një skuadër e mbushur me yje.
3-1 fitoi Metzi, skuadër ku luan Ivan Balliu, i cili ishte titullar në këtë ndeshje dhe luajti si mbrojtës i majtë. Për Metzin ishte një kualifikim i merituar dhe njëherësh një sukses që bëri bujë në median sportive evropiane. Monako edhe një herë tjetër zhgënjeu dhe goli i Radamel Falkaos nuk mjaftoi.
Ndërsa trajneri Tierri Henri doli kokëulur nga stadiumi. Ishte një dështim që vjen pas eliminimit në Ligën e Kampioneve dhe pozitave mjaft të vështira në Ligën 1 franceze. Kurse Balliu me shokë ka të drejtë të krenohet, pasi është në garë për trofeun e Kupës, pavarësisht se skuadra e tij ndodhet në ligën e dytë.
Ndërkohë, në Kupën e Greqisë, një tjetër shqiptar shënoi sukses. Është Fiorin Durmishaj, i cili shënoi gol dhe dha kontribut të vlefshëm në fitoren e skuadrës së tij, Panionios, kundër PAS Janinës. Fitoi Panioniosi 2-0, ku golin e parë e realizoi sulmuesi kuqezi me 11-metërsh.
Skuadra e Durmishajt u kualifikua më tej, ndërsa PAS Janina eliminohet. Tek Janina luan mesfushori tjetër kuqezi, Andi Lila, po në këtë ndeshje e pa humbjen dhe eliminimin nga stoli.