AlbanianSport.com 26.11.2014 22:35
ASNN – Xherdan Shaqiri mund të largohet nga Bajerni i Mynihut në janar të vitit të ardhshëm. Këtë e ka bërë të ditur legjenda e bavarezëve dhe e futbollit gjerman, Franc Bekenbauer. Ish-presidenti u shpreh se klubi ia ka dhënë sinjalin Shaqirit për t’u larguar në janar atje kudo që ai do të dëshirojë.
Futbollisti shqiptar i përfaqësueses zvicerane, sot 23 vjeç, kërkohet nga Juventusi, por edhe nga Roma, ndërsa sipas lajmeve të fundit, edhe Borusia e Dortmundit mund të jetë e interesuar për të. Bajerni mund të përfitojë deri në 20 milionë euro nëse kjo lëvizje do të ndodhë.
“Nëse dëshiron, Shaqiri mund të largohet në janar”, – ka theksuar Franc Bekenbaueri, President Nderi i Bajernit të Mynihut dhe legjendë e futbollit gjerman, duke shtuar se askush nuk e pengon Xherdan Shaqirin të largohet nga klubi bavarez nëse ka dëshirë të nisë një aventurë të re në muajin janar.
“Mund të largohet pa problem, pasi unë dua në skuadër vetëm lojtarë që duan të veshin këtë fanellë”, – shtoi i mbiquajturi “Kajzeri”. Xherdan Shaqiri po luan shumë pak minuta dhe situatën e tij po kërkojnë ta shfrytëzojnë Napoli, Juve dhe Roma, skuadra të cilat janë në kërkim të një lojtari si ai.
Edhe pse një lojtar që vlerësohet shumë në Evropë, 23-vjeçari e ka të vështirë të fitojë një vend në formacion pasi ka konkurrencën e Gëces, Mylerit, Riberisë dhe Robenit. Në një intervistë për zviceranen “Blick”, futbollisti kosovar ka thënë: “Dua të luaj më shumë. Në verë kërkova të largohesha, por klubi vendosi të më mbante.”