AlbanianSport.com 22/01/2019 19:20
ASNN – Janë luajtur sot dy takimet e para të turit të 16-shes së Kupës së Shqipërisë dhe, në Fushë-Krujë, Partizani ka kapërcyer pësimin e një goli, duke marrë një fitore 4-2 ndaj Kastriotit. Partizani ka marrë një fitore 4-2 në fushën e Kastriotit, në takimin e parë të turit të 16-shes së Kupës së Shqipërisë, duke e bërë kështu takimin e kthimit pas dy javësh në kryeqytet një formalitet dhe vendin në çerekfinale një realitet të prekshëm.
Në fakt, ndeshja e zhvilluar në një terren mjaft të rënduar të Stadiumit “Redi Maloku” në Fushë-Krujë, nuk ka nisur mirë për të kuqtë kryeqytetas të drejtuar nga trajneri Skënder Gega, pasi ka qenë një “ish”, Jurgen Vatnikaj, ai që ka gjetur i pari rrugën e rrjetës dhe e ka kaluar Kastriotin në epërsi pas vetëm 13 minutash lojë.
Por, përtej një terreni skandaloz që ndikoi dukshëm në nivelin e lojës, Partizani do të reagojë dhe fillimisht do të barazojë shifrat në 1-1 pas një gjysmë ore lojë, me atë të shkodranit Hebaj. 3 minuta para fundit të pjesës së parë, Mensah do të gjejë edhe golin e dytë për Partizanin, që përmbys kështu shifrat në 2-1. Me këtë epërsi minimale të skuadrës së Gegës do të mbyllet pjesa e parë.
Ndërsa ajo e dyta do të sjellë edhe gola të tjerë dhe fillimisht Trashi e çon në 3-1 epërsinë e Partizanit, me golin e shënuar në minutën e 68-të. Ndonëse Julian Shehu do të shkurtojë largësinë e golave vetëm dy minuta më vonë, Hebaj do të gjejë edhe golin e 4-t për Partizanin dhe të dytin personal në këtë takim, duke vulosur fitoren 4-2 të skuadrës kryeqytetase e, bashkë me të, edhe vendin në turin tjetër.