AlbanianSport.com 22/01/2019 17:30
ASNN – Turi i 16-shes së Kupës së Shqipërisë, nisi të martën me dy ndeshje nga 8 gjithsej. Në Fushë-Krujë ishte radha e Partizanit të testohej me Kastriotin, kurse në Lezhë Skënderbeu pati jo pak punë me Besëlidhjen. Fituan skuadrat e mëdha, por u evidentua një problem jo i vogël në infrastrukturë, fushat e futbollit ishin baltë e tëra, aspak me standarde për të pritur ndeshje të nivelit të lartë dhe skuadra elitare. Më keq akoma, ndeshja nisi me vonesë pasi mungonte ambulanca në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës.
Sidoqoftë, në Krujë, Kastrioti nuk ia doli ta frenojë Partizanin. Të kuqtë e mposhtën me rezultatin 4-2, duke i dhënë drejtim kualifikimit. Ishte një ndeshje jo e lehtë jo vetëm për sa i takon terrenit, por edhe se Kastrioti rivalizoi fort në pjesën e parë dhe në gjysmën e pjesës së dytë. Fitorja e “demave” erdhi në fund fare. Vatnikaj shënoi për Kastriotin në minutën e 13-të, duke vënë në pozita të vështira Partizanin. Megjithatë, edhe pse terreni u rëndua së tepërmi, “demat e përmbysën rezultatin brenda pjesës së parë në 2-1, ku shënuan Hebaj dhe Mensah.
Në pjesën e dytë të kuqtë shënuan me Trashin në minutën e 70-të, duke i dhënë drejtim fitores, por një gol i Shehut për krutanët një minutë më pas komplikoi situatën. Megjithatë, ishte sërish Hebaj në minutën e 75-të që i vuri “kapak” fitores së Partizanit, me rezultatin 4-2 dhe një hap drejt kualifikimit në turin tjetër të Kupës. Padyshim, ky sukses ishte një fitore morale në prag të duelit me Skëndebeun, i cili do të jetë edhe takimi hapës i fazës së tretë dhe do të luhet në Korçë ditën e premte. Pas ndeshjes trajneri Skënder gega përgëzoi lojtarët e tij dhe u shpreh i kënaqur me rezultatin.
Por pa harruar vështirësinë që prodhoi loja në tërësi si pasojë e terrenit të rënduar në stadiumin e Fushë-Krujës. Ndërkohë, në Lezhë Besëlidhja u përpoq por nuk ia doli të frenojë Skënderbeun. Skuadra korçare e interpretoi mirë ndeshjen dhe ia doli të fitojë 2-1 takimin, duke bërë një hap përpara drejt kualifikimit. Ishte Oto Xhon që shënoi i pari në këtë takim, pikërisht në minutën e 10-të, duke i dhënë epërsinë ekipit të Skënderbeut.
Por lezhjanët do të barazonin shpejt me anë të Kamarasë, në minutën e 26-të, duke vendosur ekuilibrin në rezultat. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1, por diferencën skuadra e Orges Shehit do ta bënte në pjesën e dytë, ku Nazmi Gripshi, shënoi në minutën e 51-të, një gol që rezultoi vendimtar në fitoren e skuadrës korçare dhe bërjen e një hapi të rëndësishëm drejt kualifikimit. Kjo për faktin se dueli i kthimit do të luhet në stadiumin e qytetit juglindor.
Kupa e Shqipërisë
Turi i 16-shes
Ndeshjet e para
Të martën, 22 janar 2018:
Kastrioti – Partizani 2-4
Besëlidhja – Skënderbeu 1-2
Të mërkurën, 23 janar 2018:
Apolonia – Kukësi (14:00)
Bylis – Laçi (14:00)
Egnatia – Luftëtari (14:00)
Lushnja – Teuta (14:00)
Vllaznia – Kamza (14:00)
Tirana – Flamurtari (17:00)