AlbanianSport.com 22/01/2019 15:40
ASNN – Tirana-Flamurtari, është një nga ndeshjet e turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, në grupin B. Dy skuadra me emër në futbollin shqiptar por aktualisht nuk po kalojnë situata të qeta në kampet e tyre. Megjithatë, zëvendëstrajneri i Tiranës, Erjon Xhafa mendon se skuadra e tij e ka kontingjentin për të luftuar në të dy veprimtaritë, si në kupë ashtu edhe në kampionat.
Sfida e parë zyrtare për Tiranën në 2019 është ajo në Kupën e Shqipërisë, ndaj Flamrtarit. Të mërkurën, bardheblutë do të presin në fushën e tyre, kuqezinjtë e Vlorës. Një përballje kjo që ndër vite ka ngjallur interesin e të gjithë opinionit sportiv. Flamurtari aktualisht po vuan problemin financiar, që ndoshta do të ndikojë te futbollistët.
Por zëvendëstrajneri i Tiranës, Erjon Xhafa mendon se përtej problemeve, Flamurtari ka po të njëjtët lojtarë dhe të njëjtin trajner. Kupa e Shqipërisë, ka specifikën e vet, pra të jep mundësinë për të luajtur dy ndeshje. Kjo i jep skuadrës njëfarë shprese për të rikuperuar në ndeshjen e dytë, shprehet Xhafa.
Megjithatë Tiranës nuk i lejohet të bëjë gabime. Ashtu si çdo skuadër, edhe Tirana ka nevojë për përforcime, por merkato e janarit nuk të jep mundësinë për të përzgjedhur lojtarët e duhur. E megjithatë te bardheblutë mendojnë se skuadra e ka kontingjentin për të përballuar të dy veprimtaritë, si kampionatin ashtu edhe kupën.
Sentamu, një nga lojtarët titullarë të bardhebluve nuk është afruar ende pranë skuadrës, por zëvendëstrajneri i Tiranës, Erjon Xhafa, nuk e shikon këtë si një problem për momentin dhe është shprehur i kënaqur me fazën përgatitore dimërore dhe me gjendjen e lojtarëve.