AlbanianSport.com 21/01/2019 21:45
ASNN – “Australia Open”, një prej turneve më të mëdhenj të tenisit në botë, i pari “Grend Slem” për këtë vit, po dhuron surpriza të bukura. Në fakt, surpriza më e madhe deri tani është eliminimi i Rozher Federer nga tenisti 20-vjeçar grek, Cicipas, ndërsa të hënën paradite ishte radha e amerikanes Serena Uilliams, që të tregonte madhështinë e saj në këtë sport, duke fituar ndaj numrit një në botë, Simona Halep.
Ishte një fitore relativisht e lehtë për Uilliamsin, e cila fitoi bindshëm setin e parë me rezultatin 6-1, por humbi të dytin 6-4, duke vënë në pikëpyetje kualifikimin. Por përvoja dhe forca fizike, shoqëruar me saktësi dhe dominim psikologjik, bënë që Uilliamsin të fitonte setin e tretë 6-4 dhe krejt ndeshjen 2-1, duke kaluar në çerekfinale të Turneut të Hapur të Australisë.
Një kalim i merituar në 8-shen më të mirë, atje ku Uilliamsi do të gjejë tenisten çeke, Pliskova. Kjo e fundit kaloi me rezultatin 2-0 (6-1, 6-3) tenisten spanjolle Muguruza. Ndërkohë, në ndeshjet e tjera, ukrainasja Zvitolina eliminoi amerikanen Kiis me rezultatin 2-1. Po me të njëjtin rezultat 2-1 fitoi edhe kundërshtarja e saj e radhës Osaka, ndaj Sevastovas.
Tek meshkujt, kandidatë kryesorë për të fituar Turneun “Australia Open” janë dy tenistët e famshëm Rafael Nadal dhe Novak Xhokoviç.