AlbanianSport.com 21/01/2019 17:10
ASNN – Lacio humbi, por Strakosha shkëlqeu dhe komenton “trullosjen” e skuadrës së tij. Napoli mundi Lacion me shifrat 2-1, në një ndeshje ku përballë njëri-tjetrit ishin edhe dy lojtarë të Kombëtares kuqezi. Për Napolin luajti pak minuta në fund të ndeshjes si zëvendësues mbrojtësi Elseid Hysaj, kurse për Lacion, luajti titullar Thomas Strakosha, i cili ishte më i miri i skuadrës së tij dhe njëherësh një nga më të mirët në fushën e lojës.
Strakosha foli pas ndeshjes për “Radio RAI”, duke komentuar gjendjen e vështirë të grupit, pasigurinë në rezultate dhe qetësinë e munguar të Lacios në tërësi. “Këtë sezon na mungon qetësia që kishim sezonin e kaluar dhe tashmë ka ardhur koha që të tregojmë se mund të përballojmë dhe t’ia dalim ndaj çdo kundërshtari, – ka thënë gardiani i portës kuqezi për median në fjalë. – I kuqi i Açerbit?”
“Nuk duhet të mendojmë më shumë rreth këtij episodi por duhet që të fokusohemi te vetja jonë dhe te vështirësitë që kemi me një përqendrim edhe më të madh”, – vijoi Strakosha, dukshëm i pakënaqur nga rezultati i ndeshjes. Duhet thënë se “gardiani” i përfaqësueses kuqezi është titullar i padiskutuar i Lacios dhe ky ëstë sezoni i tretë që ai mban “flamurin” lacial në prapavijë, i pakonkurrueshëm nga të tjerët.
Por pavarësisht formës së tij të mirë, Lacio ka probleme këtë edicion dhe rrezikon të mbetet jashtë zonës evropiane nëse nuk bën kthesën e duhur në javët në vijim.