AlbanianSport.com 20/01/2019 23:55
ASNN – Erlind Pëllumbi: “Do të organizojmë Ballkaniadën e Nën-20-vjeçarëve, vëmendje moshave të reja”. Pas zhvillimit të Asamblesë së Përgjithshme të Volejbollit Ballkanik, ku Shqipëria mori të drejtën e pritjes së Kampionatit të Gaishullit për Nën-20-vjeçarët, ka folur për këtë rast vetë presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi.
Në një prononcim për mediat sportive të ditës, ai është shprehur se vëmendja e federatës që ai drejton tani e tutje do të jetë tek moshat e reja. “Ne morëm përsipër të presim këtë veprimtari, – thotë ndër të tjera presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi, – pasi gjatë viti 2019 do të fokusohemi tek moshat. Ekipet e djemve i kemi aktivizuar në veprimtari jashtë vendit.”
“Dhe tani dëshirojmë që të marrim vlerësimet e publikut shqiptar, duke organizuar Kampionatin Ballkanik të Nën-20-vjeçarëve për djem. Ne kemi demonstruar se jemi të aftë të organizojmë me sukses këto lloj veprimtarish dhe për këtë arsye nuk hezituam ta marrim përsipër këtë turne.”
Më tej Pëllumbi ka komentuar edhe pritshmëritë e këtij viti, duke vënë theksin tek vështirësitë financiare. “Nuk jam shumë i informuar për këtë pjesë, sepse jam në lëvizje jashtë vendit, por përderisa edhe presidenti i basketbollit, z. Ponari, është shprehur mbi këtë çështje, duket se kemi vështirësi, – ka thënë ai. – Sepse, njësoj si basketbolli, edhe volejbolli merr pak a shumë të njëjtin buxhet.”
“Vjet ishte një buxhet katastrofë, duke pasur parasysh veprimtaritë e shumta ndërkombëtare që organizuam”, – përfundoi kreu i organizmit që qeveris volejbollin shqiptar, Erlind Pëllumbi.