AlbanianSport.com 19/01/2019 22:40
ASNN – Blerjet e fuqishme në merkato kanë rritur optimizmin tek Kukësi për titullin “kampion”, duke shpresuar që Eduard Rroca, Vasil Shkurtaj e Faton Xhemaili, të sjellë si përforcime cilësore në këtë merkato dimri, do ta bëjnë pretendent kryesor për të fituar kampionatin. Presidenti i klubit verilindor, Safet Gjici, mblodhi skuadrën në një takim, ku u përmendi shkurt dhe qartë objektivin titull, ndërsa presioni shkon për trajnerin Armando Cungu.
Ky i fundit duhet tani të mendojë të përmbysë Partizanin nga kreu dhe të sfidojë rivalët e tjerë në garë, për ta mbyllur sezonin në vend të parë. Kurrë më parë Gjici nuk ka qenë kaq kërkues, çka tregon se rivaliteti në kampionat ka arritur në një pikë domethënëse për zhvillimin e garës. Ndërkohë, ndërsa lëvizjet afruese kanë shkaktuar bujë, ato kanë sjellë ende një problem jo të vogël, që ka të bëjë me sulmuesin mozambikas, Rexhinaldo.
Afrikani po e sheh veten të tepërt pas ardhjes së Shkurtajt dhe ka lënë të hapur mundësinë e largimit. Partizani ka dashur ta shfrytëzojë këtë moment, duke i “shkelur syrin”, por presidenti i klubit verilindor Gjici i ka bërë “bllok”. Kukësi mund të hapë dritën jeshile për largim të Rexhinaldos për cilindo klub vendas apo të huaj, por kurrsesi për Partizanin. Informacionet e fundit flasin për një interesim të Omonias së Nikozias, e cila po sheh mundësinë e transferimit të Rexhinaldos në kampionatin qipriot.
Kjo skuadër ka nevojë për sulmues të mirëfilltë dhe golashënues, sepse ka statistika mjaft të dobëta në vijën e parë ofensive. Për këtë arsye po sheh mundësinë e blerjes së Rexhinaldos, megjithëse asgjë zyrtare nuk ka në bisedimet midis dy klubeve.