AlbanianSport.com 18/01/2019 22:40
ASNN – Tenisti i famshëm zviceran, Rozher Federer, si dhe kampioni spanjoll Rafael Nadal, vijojnë rrugëtimin e tyre të suksesshëm në Turneun e Hapur të Australisë “Australian Open”, turne që është edhe “grend slemi” i parë i vitit në tenis. Zvicerani, që është kampioni në fuqi i turneut, kaloi në turin e 16-shes pasi mposhti 3-0 me sete (6-2, 7-5, 6-2) amerikanin Tejlor Fritz në më pak se një orë e gjysmë lojë. Deri tani 37-vjeçari nuk ka humbur asnjë set, çka tregon se po kalon një formë shumë të mirë.
Nëse gjërat shkojnë mbarë për Federerin, ai po udhëton drejt trofeut të 100-të në karrierë dhe drejt “Grend Slem”-it të 21-të, duke thelluar kështu rekordet e tij në tenis. Po kështu, nuk pati kurrfarë problem për tenistin spanjoll Rafael Nadal, numri dy i botës, i cili shfaqi forcë të madhe ndaj australianit, Aleks De Minaur, numrit 27 të turneut. Spanjolli ka fituar 3-0, me sete 6-1, 6-2, 6-4, në 2 orë e 24 minuta lojë.
Në turin tjetër spanjolli do të përplaset me çekun Tomas Berdiç. Ndërkohë, tek femrat, spikati fitorja e ruses Maria Sharapova ndaj Karolina Vozniakit 2-1 me sete (6-4, 4-6, 6-3), Kvitova eliminoi Bençiç, ndërsa Kerber kaloi pa probleme Birrell. Duhet thënë se figurat e mëdha të tenisit po e dimojnë edhe këtë edicion turneun e madh të këtij sporti, Australia Open”. Padyshim, Federer e Nadal janë favoritë për ta fituar këtë trofe dhe për të marrë “Grand Slemin” e parë të madh për këtë vit.