AlbanianSport.com 18/01/2019 19:55
ASNN – Kuqezinjtë e vegjël, ata të moshës deri në 17 vjeç, zhvilluan të enjten në Turqi ndeshjen e fundit në grup në kuadër të “Mercedes Benz Egean Cup”, ku mundën Moldavinë me rezultatin 2-1. Ishte një fitore ngushëlluese për përfaqësuesen shqiptare të kësaj moshe, pasi kishte dështuar në dy takimet e para në grup ndaj Anglisë dhe Turqisë.
Për kuqezinjtë Nën-17 vjeç realizuan Ilir Gjuzi dhe Mario Mitaj, në minutat 56-të dhe 58-të. Ishin dy gola të shpejtë për Shqipërinë në fraksionin e dytë të ndeshjes, pasi pjesa e parë e takimit ishte mbyllur barazim 0-0. Moldavia e Nën-17-vjecarëve shënoi golin e nderit në minutën e 82-të me anë të Frates. Për trajnerin Elvin Beqiri ky ishte suksesi i parë në krye të Kombëtares së kësaj moshe.
Pikërisht në këtë turne Shqipëria e kësaj grupmoshe kishte humbur ndaj anglezëve 2-0 si dhe ndaj Turqisë 3-1. Të paktën nuk e mbylli grupin me zero pikë dhe në vend të fundit, kështu që fitorja e ndjeshme me moldavët ishte një ngushëllim. Sidoqoftë, kësaj skuadre i duhet shumë punë të jetë konkurruese, pavarsisht një numri të konsiderueshëm elementësh me perspektivë.