AlbanianSport.com 17/01/2019 23:55
ASNN – Bazeli u përball të enjten me Akademinë “Pushkash” në një takim miqësor. Fituan zviceranët me rezultatin 2-1. Në fillim shënoi skuadra e Bazelit, me anë të lojtarit shqiptar Albian Ajeti. Ky futbollist luan për përfaqësuesen e Zvicrës dhe është vëllai i mbrojtësit Arlind Ajeti, i cili luan për përfaqësuesen e Shqipërisë. Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi 1-0 për ekipin e njohur helvet.
Ky rezultat zgjati deri në minutën e 86-të, kur futbollisti veteran Frai shënoi edhe golin e dytë për Bazelin. Por për hungarezët e Akademisë “Pushkash” do të mendonte të shënonte golin e nderit një shqiptar, konkretisht mesfushori me tipare sulmuese Liridon Latifi. Kosovari i Kombëtares kuqezi realizoi në minutën e 89-të golin e nderit për skuadrën e tij, por pa e evituar dot humbjen.
Ky gol dhe kjo paraqitje e mirë e tij mund të jetë një sinjal për të bërë një vit të madh në aspektin personal dhe Latifi ka shanse të marrë ftesë nga trajneri Kristian Panuçi në kuadër të ndeshjeve eliminatore të Kampionatit Evropian, ku Shqipëria bën pjesë në grupin H dhe luan duelin e parë në fund të marsit ndaj Turqisë.