AlbanianSport.com 17/01/2019 14:45
SNN – Bajerni i Mynihut, do të luajë me Hofenhaimin të premten, ndeshjen e parë, të fazës së dytë të Bundesligës. Për bavarezët kjo është një ndeshje tepër e rëndësishme pasi duan ta nisin mbarë vitin 2019 si dhe të shpresojnë për të fituar titullin “kampion”. I këtij mendimi është edhe trajneri i Bajernit të Mynihut, Niko Kovaç, për të cilin ky do të ishte edhe titulli i parë me këtë skuadër me emër të madh në Bundesligë.
“Unë dua të fitoj titullin e Bundesligës, e për mua do të ishte titulli i parë këtu si trajner, – thotë ai. – E për t’ia arritur kësaj ne po punojmë shumë”. Në rast të një fitoreje, Bajerni i dërgon një mesazh presioni Dortmundit kryesues. “Do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne duam ta fitojmë atë për të rritur presionin ndaj Borusias së Dortmundit”, – tha kroati i stolit të bavarezëve.
“Ne e dimë se Hofenhaimi është një ekip i jashtëzakonshëm me një trajner të shkëlqyeshëm dhe do të na e bëjnë të vështirë takimin”, – ka shtuar ai. Bajerni ka fituar 6 tituj rresht në Bundesligë dhe Kovaçi kërkon ta ruajë këtë vazhdimësi. Ndërsa trajneri i Hofenhaimit, Julian Nagelsman, ka thënë se lojtarët e tij nuk duhet të tremben vetëm nga emri i Bajernit.
Duhet ta shohin atë si çdo kundërshtar tjetër: “Është e rëndësishme që ne të mos dorëzohemi para fillimit të ndeshjes, nuk mund të kesh frikë vetëm se po vjen autobusi i Bajerni i Mynihut. Do të luajmë ndaj tyre me gjithçka kemi. Është e rëndësishme për mua që të luajmë një ndeshje të përsosur” – tha ai.