AlbanianSport.com 17/01/2019 13:50
ASNN – U bënë 3 javë që parketit të basketbollit në NBA-në amerikane i mungon “mbreti” LëBron Xhejms. Shkak ishte dëmtimi i tij muskular, por skuadra e Los Anxheles Lejkërs do të kenë në dispozicion të tyre tani e tutje yllin e ekipit, lojtarin më të mirë të kampionatit dhe njëherësh një prej yjeve më të mëdhenj të basketbollit botëror.
Mësohet se Xhejms e ka kaluar dëmtimin dhe në fundjavë do të zbresë në parket, madje besohet se mund të luajë zyrtarisht midis datave 20 dhe 22 janar 2019, por kjo mbetet të shihet nga testimi paraprak që do të bëhet të premten dhe të shtunën. Xhejms mungon prej 3 javësh.
Dhe në 11 ndeshje të luajtura në Konferencën e Perëndimit nga Lejkërsat pa praninë e tij, skuadra ka humbur 7 takime, duke dëshmuar për rëndësinë që ka “mbreti” Xhejms në skuadrën e njohur të Los Anxheles Lejkërs. Vetë klubi nuk e ka mohuar se skuadra ka mangësi pa praninë e tij.
Dhe se kthimi mund ta ndihmojë grupin edhe moralisht që të arrijë objektivat e tij, megjithëse pozitat e Lejkërsave në Konferencën e Perëndimit nuk janë më të mira. Gjithsesi, gara është ende e gjatë dhe Xhejms mund të japë kontributin e tij për ta pozicionuar ekipin në 4-5 skuadrat e para, në mënyrë që të ketë mundësinë të marrë pjesë në “play-off”.