AlbanianSport.com 16/01/2019 17:10
ASNN – Ylli Tomori: Kombëtarja ishte fare pranë kualifikimit, me pak mbështetje ky objektiv është i arritshëm. Trajneri i Partizanit në volejboll për meshkuj, Ylli Tomori, beson se Shqipëria ka një skuadër kombëtare mjaft të mirë në këtë disiplinë dhe nëse ekipi do të mbështetej si duhet dhe lojtarët do të merrnin vëmendjen e nevojshme, atëherë kuqezinjtë mund të kualifikoheshin në Evropian. Duke folur për të përditshmen sportive shqiptare “Panorama Sport”, Tomori nuk la jashtë vëmendjes ecurinë e ekipit në eliminatoret që lamë pas.
Ndeshje të bukura e rivalizuese por që nuk përfunduan me sukses të plotë. Sidoqoftë, Tomori e përgëzon ekipin për punën e bërë. “Besoj se ne kemi një skuadër kombëtare shumë të mirë, – u shpreh Tomori për të përditshmen në fjalë. – Janë djem me të ardhme, të cilët, nëse përkrahen apo menaxhohen mirë, apo dhe nëse arrijnë të kenë shtysë siç kanë pasur të tjerët para tyre, atëherë mund të shkojmë larg. Për mua është vërtet një skuadër shumë e mirë” “Ne ishim shumë afër për të arritur kualifikimin në këto eliminatore.”
“Por mendoj që mungesa e besimit dhe e përkrahjes na ka penalizuar, – vijoi trajneri i njohur i volejbollit të meshkujve. – Mendoj që në këtë sport nuk punohet me fushata sot për sot, apo nesër për nesër. Duhet të kesh vizion dhe parametra, siç i kanë skuadrat e tjera. Ne kemi një brez lojtarësh të rinj shumë të mirë dhe natyrisht që duhet të mbështetemi tek këta lojtarë nëse duam që të arrijmë një kualifikim. Për hir të së vërtetës, një kualifikim të tillë edhe mund ta arrijmë, pasi nuk është e diçka e paarritshme.”
“Ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të tregohemi vizionarë, – theksoi më tej ish-trajneri “kampion” për shumë vite i Studentit e aktualisht në krye të Partizanit, – duke e nisur punën që me fëmijët apo me ekipet e të rinjve. Nuk shikoj të kemi shumë elementë tek ekipet e moshave dhe mendoj se aty duhet të investohet më shumë dhe të punojnë me këtë brez specialistët e aftë dhe jo njerëzit që janë aty sa për të marrë rrogën. Duhet patjetër që ne të arrijmë ta ngremë volejbollin në ato nivele që kemi pasur dikur, pasi në Shqipëri ka plot njerëz që e dashurojnë këtë sport”, – ka përfunduar Ylli Tomori.